Albin Kurti zgjodhi një moment “të mirë” ta godasë LDK-në…

Prishtinë | 23 Mar 2020 | 14:56 | Nga Blerim Latifi

Kurti zgjodhi momentin më të përshtatshëm për të që të godasë kundërshtarin e vetëm në qeveri, Agim Veliun. LDK, në nervozë e sipër, iu kundërpërgjigj me inicimin e mocionit të mosbesimit.

Partitë opozitare vrapuan që ta mbështesin, përjashto PDK-në e cila ishte e dykuptimshme në shpjegimin e mënyrës se si do të vepronte në raport me mocionin.

Me gjasë dikush i ka folur në vesh Kadri Veselit për t’i treguar rrezikun elektoral nga rrëzimi i qeverisë në këtë kohë. Kurti reagoi me qetësi ndaj këtij zhvillimi të nxitur nga LDK-ja, ndërsa punën e ndyrë për të njollosur partnerin qeverisës ua la fallangave digjitale të VV-së.

Qetësia e Kurtit buron nga fakti se nëse ai rrëzohet në kulmin e epidemisë, faji do të kalojë të LDK dhe opozita. Kurti do të thotë se derisa ai po luftonte me epideminë, kundërshtarët e tij e rrëzuan ngase u intereson vetëm pushteti, e jo populli i kërcënuar nga epidemia.

Ky rrëfim përbën një adut të fortë për të bërë një fushatë ultrapopuliste në zgjedhjet e reja. Këtë e di edhe presidenti i cili nuk po flet fare për rrëzimin e qeverisë.

Në tërë këtë rrëmujë politike koston më të madhe do ta paguajë LDK, në rast se nuk tërhiqet njëherë për njëherë nga mocioni. Përveç fajit për rrëzimin e qeverisë në kohë të keqe për vendin, ajo rrezikon të përçahet midis fraksionit që anon nga VV-ja dhe fraksionit që kujton ditët e begatshme të bashkëqeverisjes me PDK-në.

E fajësuar dhe e përçarë, ajo do nuk mund t’i shpëtojë katastrofës elektorale. Në këtë situatë ajo ndodhet para një dileme: të marrë hakun për Agim Veliun, ose të rrezikoj këtë katastrofë.

Nga kjo e fundit përfitimin më të madh do ta ketë VV-ja, sepse të dëshpëruarit nga LDK rëndom ikin në VV. Sidomos në qendrat e mëdha urbane.

Të ngjashme