Aliu dhe ministri kanadez flasin për bashkëpunim përgjatë anëtarësimit në konventat ndërkombëtare

Prishtinë | 25 Gus 2023 | 19:36 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është takuar me ministrin e Zhvillimit Ndërkombëtar të Kanadasë, Ahmed Hussen.

Në këtë takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit mes dy dikastereve.

“Ministrin e informova rreth angazhimit tonë maksimal që të anëtarësohemi në konventa ndërkombëtare, me ç’rast kërkova mbështetjen e Kanadasë, që rrjedhimisht Kosova të ketë mundësinë që të negocioj dhe të ketë qasje në mekanizma dhe fonde të ndryshme multilaterale, për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të nxitur ruajtjen e mjedisit në përgjithësi” tha Aliu në njoftimin e tij.

Ky është njoftimi i plotë:

Në kuadër të pjesëmarrjes në (GEF), pata një takim e bashkëbisedim të shkëlqyer me Ministrin e Zhvillimit Ndërkombëtar të Kanadasë, Ahmed Hussen.

Vlerësuam pozitivisht bashkëpunimin e ngushtë në mes dy vendeve tona, dhe theksuam se mundësitë e thellimit të bashkëpunimit janë të jashtëzakonshme. Ministrit ia shpreha mirënjohjen time dhe të shtetit e popullit tonë për ndihmën, përkrahjen dhe kontributin e pakursyer të Kanadasë për Kosovën, përgjatë viteve.

Njëherit e njoftova se tashmë, Republika e Kosovës i është bashkuar Deklaratës së Përbashkët të Vendeve të G7 mbi Mbështetjen për Ukrainën. Kështu, duke shprehur mbështetjen e pa rezervë për përpjekjet e guximshme të Ukrainës ndaj agresorit rus, prej ditës së parë të konfliktit.

Ministrin e informova rreth angazhimit tonë maksimal që të anëtarësohemi në konventa ndërkombëtare, me ç’rast kërkova mbështetjen e Kanadasë, që rrjedhimisht Kosova të ketë mundësinë që të negocioj dhe të ketë qasje në mekanizma dhe fonde të ndryshme multilaterale, për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të nxitur ruajtjen e mjedisit në përgjithësi.

Për fund, Ministrin Ahmed Hussen, e ftova që të na vizitojë në Kosovë, dhe njëherit u dakorduam për bashkërendim të angazhimit dhe komunikimit në vijim, duke theksuar rëndësinë e madhe të adresimit të suksesshëm dhe efektiv të sfidave të lindura si pasojë e ndryshimeve klimatike me qëllim të garantimit dhe avancimit të mirëqenies së qytetarëve të të dyja vendeve.

Të ngjashme