AME: Situata pas reshjeve atmosferike është stabile dhe e menaxhueshme, niveli i ujërave në rënie në Gjakovë-Rahovec

Prishtinë | 27 Kor 2026 | 21:57 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se, pas reshjeve atmosferike që përfshinë Kosovën gjatë ditës së sotme, situata në nivel vendi është stabile, e qetë dhe plotësisht e menaxhueshme.

Sipas komunikatës së AME-së, përmes Qendrës Operative, intervenimet janë realizuar me shpejtësi dhe efikasitet në të gjitha zonat e prekura, bazuar në raportimet e Qendrave Operative Emergjente (QOE 112), Drejtorive për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.

“Pas reshjeve atmosferike të ditës së sotme, situata në nivel vendi është stabile, e qetë dhe plotësisht e menaxhueshme”, thuhet në njoftim.

Sipas AME-së, në rajonin Gjakovë–Rahovec niveli i ujërave është në rënie, ndërsa janë sanuar rastet e raportuara në objekte banimi dhe shtretër lumenjsh, përfshirë edhe fshatin Pataqan i Ulët.

“Niveli i ujërave është në rënie. Janë sanuar rastet e raportuara në objekte banimi dhe shtretër lumenjsh, përfshirë fshatin Pataqan i Ulët. Situata është nën kontroll drejt stabilizimit”, thuhet në komunikatë.

Në rajonin Prizren–Suharekë, autoritetet kanë trajtuar disa raste të depërtimit të ujit në podrume, objekte banimi dhe lokale afariste.

“Janë trajtuar me sukses disa raste të depërtimit të ujit në podrume, objekte banimi dhe lokale afariste. Gjendja është stabilizuar”, njofton AME.

Ndërkaq, në Prishtinë është evidentuar grumbullim uji në Shkabaj dhe në autostradën Prishtinë–Shkup, afër Marigona Residence, ku ekipet kanë ndërhyrë për normalizimin e qarkullimit.

Agjencia bëri të ditur se strukturat e saj, në koordinim me Qendrën Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe autoritetet komunale, mbeten të angazhuara në terren.

“Strukturat e AME-së, në koordinim me Qendrën Operative të MPB-së, Policinë e Kosovës dhe autoritetet komunale, mbeten në angazhim të vazhdueshëm 24/7 dhe vijojnë koordinimin në terren”, thuhet në komunikatë.

AME njoftoi gjithashtu se, sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, pritet stabilizim i motit në ditët në vijim, megjithatë agjencia do të mbetet në gatishmëri të plotë.

“Sipas parashikimeve nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, parashihet stabilizim i motit. Përtej kësaj, Agjencia e Menaxhimit Emergjent mbetet në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi apo përkeqësimi të mundshëm të situatës”, thuhet në njoftim.

AME u bëri thirrje qytetarëve që, për çdo emergjencë ose kërkesë për ndihmë, të telefonojnë pa pagesë në numrin 112.

Të ngjashme