AMEJL dënon sulmin ndaj portalit “Vijesti”

Prishtinë | 13 Jan 2019 | 11:53 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Mediave të Evropës Juglindore (AMEJL) ka kërkuar nga autoritetet në Mal të Zi që të nisin menjëherë hetimet për përpjekjen për të mbyllur portalin “Vijesti”, përmes sulmit të organizuar “DDoS”.

Portali “Vijesti”, pjesë e grupit medial “Vijesti” nga Mali i Zi, dhe anëtar i AMEJL, gjatë tri ditëve të fundit është përballur me shumë sulme të hakerëve. I fundit, nga tri sulmet, është akoma duke u zhvilluar. Portali “Vijesti” është larg më i lexueshmi dhe më kredibili në Mal të Zi, ndërsa “Vijesti” si medium është më i besueshmi te qytetarët e Malit të Zi.

“Sipas informatave të siguruara nga ekipi i zhvilluesve të “Vijestit”, me bazë në Pragë të Republikës Çeke, synimi i sulmit ishte për të mbyllur portalin, sidomos pjesët ku ishin publikuar informata ekskluzive për çështjen e fundit lidhur me korrupsionin potencial në nivelin e lartë në Mal të Zi”, thuhet në një komunikatë të AMEJL-it.

Asociacioni i Mediave të Evropës Juglindore dënon fuqishëm këto sulme dhe e percepton atë si një formë të re të shtypjes së lirive të mediave dhe lirisë së fjalës, këtë herë në hapësirën digjitale.

“Ne ftojmë autoritetet malazeze që menjëherë të nisin hetimet, të tregojnë kush janë njerëzit që kanë porositur këto sulme dhe t’i qëndron prapa këtyre sulmeve dhe t’i ndjekin penalisht sipas rrethanave”, thuhet në komunikatën e AMEJL-it.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme