Një përballje spektakolare në “Estadio Azteca” përfundoi me kualifikimin e Anglisë në çerekfinale të Kupës së Botës, pasi “Tre Luanët” mposhtën bashkëorganizatoren Meksikën me rezultat 3-2, duke e zgjatur serinë pa humbje në shtatë ndeshje.
Pas një vonese prej një ore, 15 minutat e para u zhvilluan me shumë tension dhe në një atmosferë elektrizuese në kryeqytetin meksikan. Stadiumi gati shpërtheu kur Raúl Jiménez provoi me një goditje të shkëlqyer me kokë nga afërsia, por Jordan Pickford reagoi në mënyrë fantastike në shtyllën e parë.
Në anën tjetër, rasti i parë i Anglisë erdhi pak pas pauzës për freskim, kur Anthony Gordon bëri një punë të jashtëzakonshme për ta mbajtur topin në lojë, para se goditja e tij të pritej pa shumë problem nga Raúl Rangel.
Megjithatë, dinamika e ndeshjes ndryshoi plotësisht pak minuta më vonë, duke e lënë në heshtje publikun vendas. Në minutën e 36-të, një krosim i Bukayo Sakas gjeti Jude Bellinghamin, i cili nuk gaboi me kokë dhe e kaloi Anglinë në epërsi.
Situata u bë edhe më e vështirë për Meksikën vetëm dy minuta më pas, kur Bellingham goditi sërish. Pas një pasimi të Harry Kane, mesfushori anglez e dërgoi topin në rrjetë për golin e tij të katërt në këtë turne.
Drama nuk përfundoi me kaq. Para pushimit, El Tri ngushtoi rezultatin me Julián Quiñones, i cili goditi fuqishëm dhe mposhti Pickfordin, duke ndezur sërish stadiumin. Me këtë gol, ai u barazua si golashënuesi më i mirë i Meksikës në historinë e Kupës së Botës.
Në një ndeshje të jashtëzakonshme, Meksika ishte shumë pranë barazimit para fundit të pjesës së parë, por Pickford bëri një tjetër pritje të madhe, duke devijuar mbi traversë goditjen me kokë të Jiménez.
Edhe pjesa e dytë nisi me ritëm të lartë. Anglia e Thomas Tuchel e nisi më mirë dhe ishte pranë golit të tretë kur goditja e devijuar e Nico O’Reilly përfundoi në shtyllë.
Por atmosfera në stadium u ndez edhe më shumë pak çaste më vonë, kur Anglia mbeti me dhjetë lojtarë. Jarell Quansah u ndëshkua me karton të kuq direkt pas ndërhyrjes së VAR-it, për një ndërhyrje të rrezikshme.
Pavarësisht këtij goditjeje, Anglia arriti ta rikthente epërsinë prej dy golash në minutën e 60-të. Harry Kane u tregua i saktë nga pika e bardhë, pasi Gordon u rrëzua në zonë nga portieri Rangel.
Kthesa e radhës erdhi në mesin e pjesës së dytë, kur Meksika fitoi penallti pas një tjetër ndërhyrjeje të VAR-it, këtë herë për një faull të shkaktuar nga Kane. Jiménez mori përgjegjësinë dhe realizoi me qetësi, duke e rikthyer El Tri në garë.
Në minutat e fundit, Meksika hodhi gjithçka drejt portës së Anglisë, por mbrojtja e “Tre Luanëve” rezistoi deri në fund. Anglia mbijetoi në një ndeshje klasike të Kupës së Botës dhe siguroi kualifikimin në çerekfinale.
Në fazën e ardhshme, Anglia do të përballet me Norvegjinë të shtunën në “Miami Stadium”, duke vazhduar ëndrrën për t’i dhënë fund pritjes 60-vjeçare për një trofe madhor.
Në anën tjetër, tifozët e Meksikës mbeten me zhgënjimin e eliminimit, ndërsa përfundoi edhe seria prej 12 ndeshjesh pa humbje. El Tri vazhdon të presë për paraqitjen e parë në çerekfinale që nga viti 1986, kur e kishte organizuar për herë të fundit Botërorin. /GazetaExpress/