Anti-korrupsioni nis hetimet ndaj Luan Dalipit për mosdeklarim të pronësisë në tri biznese

Prishtinë | 24 Mar 2022 | 11:13 | Nga Ekonomia Online

Agjencia Kundër Korrupsion – AKK ka pikasur edhe Luan Dalipin, i cili udhëheqë stafin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Dalipi ka qenë i detyruar që në deklarimin e pasurisë të paraqesë pronësinë që mban në tri biznese, ndonëse i ka jo-aktive.

Në formularin që ai e ka dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsionit për vitin 2021, rubrikën për posedim të aksioneve në shoqëritë tregtare e ka lënë të zbrazët. Periskopi ka shkruar dje për mosraportim të këtyre bizneseve nga ana e shefi të stafit të kryeministrisë dhe njëkohësish ka kërkuar një përgjigje nga AKK-ja…

Nga Agjenica Kundër Korrupsionit kanë konfirmuar se kanë nisur një hetim ndaj Dalipit, ndërkohë thonë se rasti nuk bën të paragjykohet.

“Ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit, nga monitorimi i rregullt i mediave ka identifikuar informatat lidhur me Biznesin e zyrtarit të apostrofuar, dhe rrjedhimisht është duke verifikuar rastin nga departamentet përgjegjëse. Agjencia në asnjë rast nuk paragjykon rezultatin e hetimeve para se te kryhen të gjitha hetimet sipas legjislacionit në fuqi. Zhvillimi i hetimeve dhe kontrollit të pasurisë realizohet pa paragjykime etnike, gjinore, gjuhësore, fetare dhe të tjera të subjekteve deklaruese”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për Periskopin.

Ndryshe, Periskopi ka zbuluar se ai është bashkëpronar në tri biznese, të cilat në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve-ARBK e kanë statusin e biznesit aktiv, ndërsa në ATK, janë jo-aktive.

“AD BOX SH.P.K” është një biznes i llojit ‘Shoqëri me përgjegjësi të kufizuara’ dhe ishte hapur më 27.06.2013. Latifi është bashkëpronarë në këtë biznes. Bashkpronar është edhe tek “INTERTEL Kosovo L.L.C” dhe të biznesi N.P. EDA CONSULTING GROUP”.

Zyrtari i kryeministrisë ka dhënë shpjegimin e tij se pse nuk i ka deklaruar këto biznese në deklarimin e pasurisë. Por, ka pranuar që aty është pronar.

“Asnjë nga këto bizneset nuk janë aktive qe shume vite. Gjithashtu, ne ATK listohen si biznese jo aktive”, tha Dalipi për Periskopin.

Ndryshe prej Dalipit, dhjetra zyrtarë tjerë kanë deklaruar në AKK edhe pronësinë tek bizneset jo-aktive, por jo edhe tek bizneset e shuara.

Para pak ditëve, AKK-ja ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Sipas Agjencisë, ministrja Hajdari dyshohet për mos raportim ose raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, dhuratave dhe dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Konkretisht, ajo dyshohet se ka fshehur pronësinë që ka në një biznes.

Të ngjashme