Arkivi, struci dhe vaksina antishqiptare

Prishtinë | 28 Jan 2022 | 12:58 | Nga Faton Abdullahu

• Pasja e vaksinës së tretë si kusht për të hyrë në Kosovë është masë antishqiptare. A kam të drejtë të konstatoj kështu? Po. Sepse me këtë masë anti-covid u ndalohet një e drejtë elementare atyre (shumica shqiptarë) që duan të hyjnë në Kosovë për arsye nga më të ndryshme. Duhet të kesh mendësi kulturore dhe atdhetare krejt mospërfillëse për shqiptarët jashtë Kosovës që të vish me këtë masë nonshalante. Por ja që kjo ndodhi dhe vazhdon të jetë në fuqi. Keq.

· Arkiva, sidomos sot, po bëhet mjeti më efikas demokratik në dorë të shoqërisë tonë, bile edhe secilit qytetarë. Me shpalosjen e arkivës demaskohet më së miri majtizmi populist i Qeverisë aktuale. Arkiva argumenton: qe çka keni thënë dje, qe çka po bëni sot. Votat e fituara me gënjeshtër dje, arkiva i bën penduese si premisë që nesër t’i jepen tjetërkujt.

· Vonesat për të vepruar drejtë dhe me kohë në menaxhimin e situatës në energji është rezultat i mungesës së profesionalizmit të kësaj Qeverie. Guximi kryeneç, me potencë hamshore në mendësinë qeveritare ka nxitur që këtë vonesë ta kompensoj me veprime të shpejta, ad hock. Për rrjedhojë, fundi del – dështim prej axhamillëku. Këtë do ta paguaj qytetari i Kosovës nga xhepi i tij. Shumë keq

· U tha me pompozitet patriotik për 28 Nëntor se hapen kufijtë me Shqipërinë. Se kjo morri fund dhe s’do të ketë kontroll ndërkufitar. Tani, pak ditë më pare, qytetarët e Shqipërisë protestuan se ju ndalohet hyrja pa vaksinën e tretë. Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë kurrë nuk ka qenë më i ulët dhe më i pa perspektivë. Keq boll.

· Dialogu me Serbinë do guxim dhe dije. Qeveria aktuale, sidomos në këtë segment, nuk e ka asnjërën. Qasja e saj tash sa kohë mbi dialogun është – shohim e bëjmë. Bile edhe më keq. Mendësia e Qeverisë sot mbi dialogun është si reagimi i përçudnum i strucit. Në ndërkohë kjo Qeveri vazhdon ta quaj krejt opozitën se është kriminale dhe tradhtare, edhe pse nesër pa opozitën nuk mund të kemi sukses kundër Serbisë në dialog.

Të ngjashme