Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një operacion hetimor në rajonin e Prizrenit, ku është arrestuar një person i dyshuar për vepra që lidhen me krimet kibernetike.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pas një urdhërese të Gjykatës, me ç’rast është kontrolluar një lokacion në rajonin e Prizrenit.
“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës me ç’rast është zhvilluar kontroll në një lokacion në rajonin e Prizrenit. Ky rast është hetuar në bashkëpunim me autoritetet e ShBA-së”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Sipas autoriteteve, i dyshuari dyshohet se ka siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna personale dhe të kartelave bankare, kryesisht të shtetasve amerikanë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.
“Personi i dyshuar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka arritur që të sigurojë në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare si dhe personale, kryesisht të shtetasve nga ShBA-të, pastaj këto të dhëna i ka vënë në dispozicion për qëllime keqpërdorimi duke i vendosur në platforma të caktuara online”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrollit janë sekuestruar prova relevante për rastin, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit.
“I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit është ndaluar për 48 orë. Rasti është në proces të mëtutjeshëm hetimor. Gjithashtu, veprimet në të ardhmen do të merren në bashkërendim me autoritetet e ShBA-së”, njoftoi Policia e Kosovës.