Arrestohet personi që kërcënoi nënkryetaren e Leposaviqit

Prishtinë | 06 Qer 2023 | 16:38 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se është arrestuar personi i cili e ka kërcënuar nënkryetaren e Komunës së Leposaviqit, Dragana Miletiq.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar krimi dhe kërcënimi nuk kalojnë, derisa ka përmendur edhe dy raste të tjera, një të konfiskimit të një veture në kërkim ndërkombëtar e një të parandalimit të kontrabandimit me mallra.

“Krimi dhe kërcënimi nuk kalojnë. Pardje është ndaluar kontrabanda me mallra, dje është konfiskuar vetura në kërkim ndërkombëtar, sot është arrestuar personi që ka kërcënuar nënkryetaren e Komunës së Leposaviqit, znj. Dragana Miletiq. Të gjitha këto në veri të vendit. Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund”, ka shkruar Sveçla.

Ndërkohë që për arrestimin e personit që dyshohet se e ka kanosur Miletiqin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Sipas Policisë ai dyshohet për dy raste të ndara, të kanosjes, ndaj dy viktimave në komunën e Leposaviqit.

“Në rastin e parë, më datë 26.05.2023, viktima femër kosovare serbe kishte raportuar se ndjehet e kërcënuar nga i/të dyshuar meshkuj serbë. Viktima po ashtu ka potencuar se nga një i dyshuar mashkull serb ka pranuar një mesazh kërcënues si dhe sipas saj ka parë person/a të maskuar, me gurë, duke bërë lëvizje për rreth zonës ku e njëjta jeton. Ndërsa në rastin e dytë më datë 05.06.2023 viktima mashkull kosovar serb ka raportuar se ishte kanosur me fjalë kërcënuese përmes telefonit nga i dyshuari mashkull kosovar serb”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Lidhur me rastet thuhet se është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari B.DJ., (1981), mashkull kosovar serb, ndaj të cilit sipas Policisë, të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Të ngjashme