Artisti kosovar shpalos në Beograd imazhin e realitetit me humor e ironi

Prishtinë | 26 Sht 2019 | 11:20 | Nga Ekonomia Online

Artisti kosovar, Driton Selmani, do të zbërthejë mendimet në ekspozitën e radhës. Merret edhe me atë se çfarë mendojnë të tjerët. E këtë do ta bëjë në Beograd.

“More and More Thoughts about Other Thoughts” (Gjithnjë e më shumë mendime rreth mendimeve të tjera), është titulli i ekspozitës së tij që do të hapet sonte në hapësirën për art bashkëkohor “U10”.

Artistit nga Kosova i është rezervuar kjo hapësirë që në njëfarë forme “lidhet” me vendin. Adresa e saj është rruga “Kosovske devojke”, (Vajzat e Kosovës) që janë personazhet kryesore të legjendës për Betejën e Kosovës më 1389, e shndërruar në mit serb, shkruan sot “Koha Ditore”.

Humori, ironia e kritika janë ato që thuren në veprat e tij. Përdor furgon, qese plastike, mesazh në shishe dhe një instalacion, për ta kapërthyer konceptin e tij.

Vetë artisti, një ditë para ceremonisë së hapjes së ekspozitës, s’ka pranuar të flasë gjatë. “I kam thënë citatet në vepra. S’po du me e prishë magjinë”, ka qenë e vetmja që ka deklaruar Selmani në një komunikim nga Beogradi.

Kuratorja e ekspozitës, Lora Sariaslan, ka thënë se arti i Driton Selmanit, që do të qëndrojë i ekspozuar në Beograd deri më 10 tetor, ka dy shtylla kryesore. Siç ka thënë ajo, njëra është gjuha dhe tjetra është imazhi.

Driton Selmani (1987) s’është i panjohur për publikun në Serbi. Para dy vjetësh kishte ekspozuar në një ekspozitë kolektive në Qendrën për Dekontaminim Kulturor, e po këtë vit qe një nga artistët pjesëmarrës në ekspozitën “Mundane” në “Eugster II Belgrade”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme