ATK-ja njofton se ka vënë “nën llupë” sektorin e ndërtimtarisë

Prishtinë | 25 Pri 2023 | 20:23 | Nga Ekonomia Online

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bërë të ditur se nga janari deri në mars 2023 ka kryer 33 kontrolle tatimore në sektorin e ndërtimtarisë – si njëri nga sektorët me risk të lartë të mosdeklarimit të tatimeve, prej të cilave ka rezultuar më shumë se 1,5 milion euro tatim shtesë.

Nëpërmes një komunikate për medie, ATK-ja thotë se është e përkushtuar që të përmirësojë qasjen e saj aktuale në menaxhimin e rreziqeve të përmbushjes për të siguruar që përpjekjet për përmbushje të adresojnë rreziqet kryesore që e përbëjnë pjesën më të madhe të hendekut tatimor.

“Qasja e re bashkëkohore përfshinë caktimin e resurseve dhe strukturimin e aktiviteteve bazuar në grupet e identifikuara të rrezikut, duke përdorur një varg intervenimesh për adresimin e shkaqeve të sjelljes së mos-përmbushjes, dhe duke vlerësuar suksesin e ndërhyrjeve sipas ndikimit të tyre në sjelljen e tatimpaguesit”.

“Bazuar në aktivitetet e zhvilluara nga Janari deri në Mars 2023, në monitorimin e sektorit të ndërtimtarisë – si njëri nga sektorët me risk të lartë të mosdeklarimit të tatimeve, janë përfunduar 33 kontrolle tatimore, prej të cilave rezulton 1,521,894 euro tatim shtesë. Veç këtyre janë edhe 83 kontrolle të deleguara sipas analizës së riskut, të cilat do të realizohen në vazhdim”, thuhet në njoftim.

ATK në vitin 2019 ka hartuar “Planin për Përmirësimin e Përmbushjes në Sektorin e Ndërtimtarisë ku përmes këtij plani ATK është duke kryer aktivitete intensive me qëllim të identifikimit të personave, të cilët nuk përmbushin detyrimet e tyre sipas legjislacionit tatimor. Ky plan në total përmban gjashtë fusha me veprime të reformës.

Sektori i ndërtimtarisë është vetëm njëri ndër sektorët të cilat janë nën llupën e ATK-së, si sektor të cilat sipas të dhënave të analizuara, rezultojnë me mosdeklarim të saktë aktivitetin e tyre, përfundon njoftimi.

Të ngjashme