Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka mbyllur një operator ilegal që merrej me trajtimin e nënprodukteve shtazore.
Sipas njoftimit të AUV-së, bëhet e ditur një qytetar ka raportuar se ka gjetur një biznes i cili ishte duke operuar ilegalisht pa licencë, i cili dyshohet se është marrë me përpunimin e nënprodukteve të kafshëve të therura.
“Përveç mungesës se dokumentacionit, hapësirat nuk posedonin kushtet teknike sanitare, minimale për të ushtruar veprimtarinë. Ekipi inspektues menjëherë ka urdhëruar largimin, tërheqjen e mbetjeve të nënprodukteve shtazore, për të penguar çfarëdo rreziku qe mund të shkaktohet nga ndotja. Po ashtu ka bërë mbylljen e subjektit. Lokacioni do të mbahet i mbikëqyrur nga organet shtetërore dhe njëkohësisht ndaj operatorit do të iniciohet procedura për gjykatë”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Ndryshe, AUV ka bërë të ditur se çdo operatorë i cili nuk përmbush kriteret ligjore për të ushtruar llojin dhe natyrën e veprimtarisë ekonomike do të përballet me masat vijuese të ndjekjes përmes organeve të drejtësisë.