Avokati Berisha: Kujdes, edhe “Liria ka emër” do të përdoret kundër të arrestuarve në Hagë

Prishtinë | 03 Pri 2023 | 21:58 | Nga Ekonomia Online

Avokati Besnik Berisha duke folur për procesin e gjykimit nga Gjykata Speciale, ka thënë se emocionet duhen të lihen anash teksa veçse ka filluar gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Berisha tha se në aktakuza sot u përdoren edhe angazhimet e mediave në Kosovë dhe fushata “Liria ka emër”.

Ai shtoi se kjo fushatë do të përdoret edhe në të ardhmen, ashtu sikurse edhe marshi i të dielës.

“Kujdes, edhe “Liria ka emër” do të përdoret kundër të arrestuarve në Hagë”, tha Berisha, në Pressing të T7.

Sot u mbajt seanca e parë ndaj ish-komandantëve të UÇK-së të cilët kanë dëgjuar akuzat për krime lufte që rëndojnë mbi ta, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në këtë formë nisi zyrtarisht gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare, të cilët qe dy vjet e gjysmë gjenden në paraburgim në Hagë të Holandës.

Plani i Speciales është që paraqitja e provave dhe thirrja e dëshmitarëve në gjykatore të ndodh tek një javë më vonë, më 11 prill.

140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Derisa një ditë para nisjes së gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Dhomat e Specializuara të Hagës e kanë lëshuar një komunikatë për media lidhur me procesin gjyqësor.

Në komunikatë thuhet se është planifikuar që deklaratat hyrëse për rastin në fjalë të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit.

Të ngjashme