Avokati i dorasit: Klienti i im është penduar për veprën e kryer

Prishtinë | 13 Pri 2024 | 12:27 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore të Ferizajt po mbahet seanca për caktimin e sigurisë ndaj Valon Aliut, i dyshuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij dhe plagosjen e vëllait të saj, dje në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

T7 raporton se avokati i 26 vjeçarit, ka thënë se klienti i tij është penduar për veprën e kryer.

“Siç është deklaruar, nuk e di se cilin e ka gjuajt përpara. I njëjti tani e ka kuptuar dhe është penduar për veprën e kryer. Në këtë pikë e kundërshtojmë kërkesën e prokurorisë se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë””, ka thënë ai.

Ai tregoi për një mosmarrëveshje mes tyre një natë para se të ndodhte vrasja.

“Një natë më parë, para se të ndodhë ngjarja, i pandehuri ka kërkuar që ta shoh djalin përmes telefonit, e ndjera nuk ia ka mundësuar, e ka fyer, e ka injoruar dhe e ka poshtëruar me fjalë të ndryshme”, deklaroi avokati.

21-vjeçarja me inicialet E.C, është vrarë në objektin e Qendrës për Punë Sociale. I dyshuar për vrasjen është ish-bashkëshorti i saj, një 36-vjeçar me inicialet V.A.

Detaje rreth rastit ka dhënë edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu. Sipas Aliut, viktima dhe dorasi po merrnin shërbime pranë Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, derisa dorasi ka shtënë mbi viktimën dhe vëllain e saj si dhe ka kërcënuar me armë edhe punonjësen e këtij institucioni.

“Dorasi është arrestuar nga Policia e Kosovës në Ferizaj, ku me këtë rast i përgëzojmë për efikasitetin e lartë, njëlloj edhe ekipet shëndetësore për reagimin e shpejt e profesional. Presim nga institucionet e drejtësisë që pas hetimeve, me forcën e ligjit t’i japin dënim meritor dorasit”, ka deklaruar Aliu.

Të ngjashme