Avokati i Popullit nis hetimet për fondin e dyshimtë të Qeverisë

Prishtinë | 23 Gus 2023 | 10:58 | Nga Ekonomia Online

Avokati i Popullit, ka nisur hetimet për abuzim apo shkelje eventuale të të drejtave të njeriut nga Zyra për Çështje të Komuniteteve, që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, raporton Paparaci.

Avokati i Popullit u vë në lëvizje, duke u bazuar në ankesën e tetë organizatave jo-qeveritare nga komuniteti serb. Sipas njoftimit të martën, Avokati i Popullit ka njoftuar njërin prej këtyre organizatave që ishte parashtruese e kërkesës për fillimin e hetimeve.

Tetë organizata të shoqërisë civile nga komuniteti serb ishin ankuar me vendimin për ndarjen e mjeteve për organizatat joqeveritare dhe media nga Qeveria e Kosovës.

“Në bazë të nenit 21.1, Avokati i Popullit shqyrtoi ankesën tuaj, të dorëzuar më 08.08.2023, në lidhje me pretendimet për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ose abuzimin nga autoritetet publike dhe në përputhje me nenin 21.1.2. të Ligjit për Avokatin e Popullit, vendosi të pranojë ankesën tuaj dhe të fillojë hetimin për shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut”, thuhet mes tjera në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Dyshimet për keqpërdorime në ndarjen e fondeve të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës për përkrahjen e komuniteteve, i pati ngritur në gusht ish-këshilltarja e kryeministrit, Elizabeth Growing.

Këshilltarja për komunitete e kryeministrit Kurti kishte thënë se nuk është pajtuar me një vendim të Komisionit Vlerësues të Zyrës për Çështje të Komuniteteve për ndarjen e mjeteve, të cilat ishin dedikuar për OJQ dhe media në përkrahje të komuniteteve.

Gowing e kishte vlerësuar të “pambrojtshëm” vendimin e komisionit për ndarjen e fondit që peshonte rreth 500 mijë euro. Ka thënë se si pasojë, nuk do të vazhdojë të punojë në Zyrën e Kryeministrit.

Paparaci ka raportuar se një OJQ që merret me organizimin e turnireve të futbollit, kishte përfituar donacion nga Qeveria e Kosovës për përkrahjen e komuniteteve.

Kjo organizatë jo-qeveritare drejtohet nga Vedat Muçolli, një zyrtar i Komunës së Podujevës.

Organizata jo-qeveritare ‘Shoqata Master’, e udhëhequr nga Muçolli, ka përfituar direkt nga një fond 500 mijë euro i Qeverisë së Kosovës për OJQ dhe media për përkrahjen e komuniteteve.

Thirrjen për mbështetje financiare të OJQ-ve dhe mediave e ka hapur më 31 maj të këtij viti Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit. Rezultatet preliminare të përfituesve janë shpallur më 10 korrik.

Të ngjashme