Azem Syla lirohet nga paraburgimi

Prishtinë | 12 Mar 2018 | 12:05 | Nga

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e masës së paraburgimit kundër Azem Sylës, duke e liruar të mbrohet në liri.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij mbrojtës, Besnik Berisha.

Berisha ka konfirmuar se Gjykata Themelore e ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes për lirim të menjëhershëm të Sylës nga masa e paraburgimit.

“Z. Syla do te mbrohet nga liria”.

Rasti “Toka”

Ish-komandanti i UÇK-së, Azem Syla, së bashku me 21 të tjerë, akuzohet në rastin e njohur si “Toka”, për tjetërsim të pronave shtetërore.

Prokuroria Speciale më 25 tetor të vitit 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën ndaj grupit të akuzuar në Rastin “Toka”. Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme