Bahtiri kërkesë urgjente Haradinajt: Kyçja e energjisë elektrike në Vallaq po pengohet nga serbët

Prishtinë | 25 Jan 2019 | 19:05 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri përmes një postimi në Facebook i ka bërë kërkesë urgjente kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj për mungesën e energjisë elektrike në Vallaq i cili ka ardhur pas djegies së trafostacionit në “Trepçë”.

Ai shkruan se qytetarët e Mitrovicës janë në gjendje të rëndë si pasojë e mungesës së energjisë elektrike dhe moti i ftohtë po ua vështirëson jetën.

“Qytetarët e Mitrovicës tash e katër ditë po përballen me mungesë të madhe të energjisë elektrike, problem i cili ka ardhur pas djegies së trafostacionit në ‘Trepçë’. Që situata të jetë edhe më e rëndë, po ndikon moti i acartë i cili po ua vështirëson jetën qytetarëve”, ka shkruar ai.

Bahtiri ka shkruar se kyçja është duke u penguar nga serbët e asaj ane, por rregullimi i energjisë duhet të bëhet sa më parë, e sipas tij nëse është e nevojshme duhet bëhet edhe intervenimi i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

“Ekipet përgjegjëse për rregullimin e avarisë e kanë kryer punën e vet, duke përgatitur terrenin për kyçje në nënstacionin e energjisë elektrike në Vallaq, por që kyçja po pengohet nga serbët e instrumentalizuar prej strukturave famëkeqe në veri”, ka shkruar Bahtiri.

“Z. Kryeministër, shteti i Kosovës nuk mund të rrijë duarkryq përballë kësaj situate, por ju duhet të ndërmerrni të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe operative për ta mundësuar kyçjen e rrymës në Vallaq, ku nëse është e nevojshme duhet të intervenohet edhe me anë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës”, shkruan ai.

Bahtiri ka shkruar se ditët janë të ftohta dhe qytetarët nuk mund ta durojnë situatën me mungesë të rrymës, prandaj shteti duhet të ndërhyjë sa nuk është bërë vonë.

Kërkesë urgjente kryeministrit Ramush Haradinaj: Të ndërhyjë Njësia Speciale në VallaqQytetarët e Mitrovicës tash e…

Posted by Agim Bahtiri on Friday, January 25, 2019
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme