Bajraktari kritikon mënyrën e vlerësimit të provave në Hagë: Gjykata nuk mund të dënojë mbi bazën e besimit

Prishtinë | 24 Sht 2026 | 10:43 | Nga Ekonomia Online

Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar lidhur me mënyrën se si, sipas tij, po interpretohen disa nga provat dhe rrethanat në proceset gjyqësore në Hagë.

Bajraktari ka theksuar se një gjykatë nuk mund ta shpallë dikë fajtor vetëm mbi bazën e bindjes apo besimit, por duhet të mbështetet në fakte dhe argumente të provuara.

“Gjykata nuk beson, gjykata nuk mendon, gjykata gjykon mbi bazën e fakteve dhe argumenteve të pakontestueshme”, ka shkruar ai.

Sipas Bajraktarit, fakti që një person ka qenë ndër të fundit që ka komunikuar me një individ i cili më pas është vrarë, nuk mund të konsiderohet, në vetvete, si provë e përgjegjësisë penale, veçanërisht në rrethana lufte.

Ai ka argumentuar se gjatë luftës njerëzit takohen, komunikojnë dhe ndahen, ndërsa rrethanat e luftës mund të sjellin edhe humbjen e jetëve. Për këtë arsye, sipas tij, përgjegjësia penale duhet të lidhet me veprimet konkrete të të akuzuarit dhe me provat që dëshmojnë lidhjen e tij me veprën penale.

Bajraktari ka kritikuar gjithashtu interpretimin e vizitave të bëra te familjet e dëshmorëve, martirëve dhe personave të zhdukur pas përfundimit të luftës.

Ai ka thënë se një vizitë mund të vlerësohet apo kritikohet, por që ajo të marrë relevancë penale, duhet të provohet se çfarë presioni është ushtruar, ndaj kujt, në çfarë mënyre dhe cili ka qenë qëllimi konkret i pretenduar.

“Drejtësia penale nuk mund të ndërtohet mbi atë që një veprim mund të nënkuptojë sipas një interpretimi subjektiv. Ajo duhet të ndërtohet mbi atë që provohet”, ka deklaruar Bajraktari.

Në reagimin e tij, avokati ka paralajmëruar se një qasje e tillë mund të çojë në një proces ku, sipas tij, “nuk është prova ajo që përcakton përfundimin, por përfundimi që kërkon kuptimin e provës”.

Bajraktari e ka mbyllur reagimin duke përsëritur se një gjykatë, përfshirë atë në Hagë, nuk mund të shpallë dikë fajtor vetëm me arsyetimin se “beson” se ai ka kryer një vepër penale, por duhet të mbështetet në prova dhe argumente të qëndrueshme.

Të ngjashme