Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas publikimit të një postimi nga ministri në detyrë Liburn Aliu, i cili në një status në Facebook e përmendi Albin Kurtin si “Kryeministër” gjatë një vizite në Rogovë për përurimin e një ure të re.
Bajrami e konsideron të papranueshme këtë qasje, duke thënë qartë se Albin Kurti nuk është më kryeministër dhe se ai, ashtu si ministrat e tjerë, është tashmë vetëm deputet.
Ajo thekson se kjo situatë përbën një shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke iu referuar Neni 72 që ndalon deputetët të mbajnë poste ekzekutive.
“Me gjithë votat që ka marrë, ai në këtë moment është vetëm një nga 120 deputetët, i cili me konsistencë po vazhdon t’i shkelë ligjet dhe Kushtetutën”, deklaron Bajrami.
Ajo akuzon Kurtin dhe ministrat e dorëhequr se po mashtrojnë qytetarët, po ushtrojnë pushtet pa mandat dhe po dëmtojnë rendin kushtetues.
Në fund të reagimit të saj, Bajrami paralajmëron se LDK shumë shpejt do të bëjë kallëzim penal për këtë çështje.
“Prokuroria duhet të veprojë – tani!”, përfundon ajo.