Bankat shtrëngojnë kriteret për dhënien e kredive për individët e bizneset

Prishtinë | 21 Jan 2023 | 17:41 | Nga Ekonomia Online

Standardet e kreditimit vijuan të shtrëngohen edhe në tremujorin e fundit të vitit 2022. Raporti I sapo publikuar nga Banka e Shqipërisë për këtë periudhë vëren se shtrëngimi është rritur si për individët, ashtu edhe për bizneset.

Faktorët që ndikuan në shtrëngimin e standardeve të kreditimit për bizneset lidheshin kryesisht me perceptimin e rrezikut nga ana e bankave. Më konkretisht, rreziku i perceptuar nga aftësia paguese e kredimarrësit, nga situata aktuale ekonomike në vend dhe perspektiva për të, si edhe rreziku mbi kolateralin e kërkuar sollën shtrëngimin e standardeve të kreditimit për bizneset.

Banka Qendrore parashikon që në tremujorin e parë të vitit 2023, standardet e kreditimit priten të mbeten thuajse të pandryshuara, në të dyja segmentet e qëllimit të përdorimit të kredisë. Në terma të madhësisë së biznesit, standardet priten të jenë të shtrënguara për biznesin e vogël e të mesëm, ndërkohë që të mbeten thuajse të pandryshuara për biznesin e madh.

Sipas vrojtimit, bankat tregtare janë shprehur se rritja e shpejtë e normave të interesit për instrumentet që shërbejnë në indeksimin e kredive të dhëna për bizneset, I kanë shtyrë këto institucione të lehtësojnë kushtet e tjera të kreditimit, në mënyrë që të “kompensojnë” për efektin e rritjes së normave të interest të kredive.

Ndërkohë, vërehet rritje e kërkesës për kredi nga bizneset, sidomos tea to të mëdha. Elementi kryesor që solli rritjen e kërkesës për kredi nga bizneset, në gjykimin e bankave, ishte nevoja më e lartë për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues.

Banka e Shqipërisë parashikon se kërkesa për kredi e bizneseve pritet të bjerë në tremujorin e parë të vitit 2023, kryesisht në sajë të tkurrjes së pritur të kredisë për qëllime investimi. Kredia në mbulimin e nevojave për likuiditet pritet të jetë e lartë edhe në tremujorin e parë të vitit 2023.

Nga ana tjetër, standardet e kreditimit për individët vijuan shtrëngimin në tremujorin e katërt të vitit 2022. Shtrëngimi u vërejt në të dyja kategoritë e qëllimit të përdorimit të kredisë, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe në atë konsumatore.

Shtrëngimi i standardeve të kreditimit për individët ishte pasojë e perceptimit të rrezikut nga bankat lidhur me situatën makroekonomike në vend e perspektivën për të; zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave; aftësinë paguese të kredimarrësit; si edhe me kolateralin e kërkuar. Po ashtu, factor tjetër që ndikoi në shtrëngimin e standardeve të kreditimit ishte edhe toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut. Shtimi i konkurrencës në sistem bankar u raportua si faktor me ndikim pozitiv në standardet e kreditimit për tremujorin e katërt.

Kërkesa e individëve për kredi u perceptua më e ulët në tremujorin e fundit, si për kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe për ato konsumatore. Ndikimin kryesor në rënien e kërkesës për kredi në tremujorin e katërt të vitit 2022, sipas gjykimit të bankave, e kanë dhënë niveli i përgjithshëm i normave të interesit; zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave; besimi konsumator; si edhe kreditë nga bankat e tjera. Në tremujorin e parë të vitit 2023, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë sërish në rënie, si në blerjen e banesave, ashtu edhe në financimin e konsumit. (Scan)

Të ngjashme