Banorët e Podujevës në hall me shtyllën elektrike, komuna dhe KEDS-i ia hedhin fajin njëra-tjetrës

Prishtinë | 20 Nën 2018 | 09:57 | Nga Norë Kelmendi

Një rrugë e sapo shtruar në lagjen “Fadil Talla”, në Podujevë, po u paraqet problem banorëve të kësaj lagjeje.

Banorët tash e sa kohë po hasin në një problem qarkullimi, e gjithë kjo pasi që në mesin e rrugës është vendosur një shtyllë elektrike.

Sipas banorëve të kësaj ane, kjo shtyllë ka tension të lartë rrymës dhe e njëjta ka bërë që të bllokohet kjo rrugë.

Pajtim Govori, banor i kësaj lagje, nëpërmes një mesazhi të dërguar në redaksinë e Ekonomia Online, thotë se ai dhe fqinjët e tij u janë drejtuar shumë herë KEDS-it në lidhje me këtë problem, por nuk kanë marrë përgjigje.

“Desha të ju informoj për një problem që kemi në rrugën tonë me një shtyllë të tensionit të lart që ka mbet midis rrugës dhe kemi mbet të bllokuar.  Kemi bërë kërkesë në KEDS afro 1 vjet dhe ende s’kemi marrë ndonjë përgjigje jemi në hall të madh”, tha Pajtim Govori për Ekonomia Online.

Madje, Govori thotë se përveç KEDS-it ata u janë drejtuar edhe komunës së Podujevës, ndonëse këta të fundit janë përgjigjur rreth problemit, përgjegjësinë i’a kanë hedhë KEDS-it.

Nazmi Elezi, zëdhënës në Komunën e Podujevës, tha për Ekonomia Online se Komuna e tyre ka bërë kërkesë nga KEDS-i për ta larguar shtyllën e vendosur në rrugën Fadil Talla, në Podujevë.

“Në kohën kur është shtrirë rrjeti i tensionit të lartë prej 35 KV, para shumë vitesh, në pjesën ku është vendosur shtylla nuk ka pasur shtëpi. Ndërkohë, janë ndërtuar shtëpi dhe shtylla pengon qarkullimin e qytetarëve të asaj rruge. Komuna ka kërkuar nga KEK-u, respektivisht KEDS-i, që ajo shtyllë të zhvendoset. Nga KEDS-i kanë premtuar se do të ndërmarrin masa për zhvendosjen e shtyllë, por se kjo kërkon kohë pasi përmes këtij rrjeti furnizohen disa fshatra, pa dhënë ndonjë afat se kur mund të largohet shtylla. Pavarësisht se shtylla pengon qarkullimin, Komuna ka bërë shtruarjen e rrugës me kubëza”, thotë Nazmi Elezi.

Por, këtë deklaratë të Elezit po e mohon zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala. Ai në një mesazh për Ekonomia Online, thotë se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë të tillë ndonjëherë nga Komuna e Podujevës, madje ai thotë se kjo komunë duhet ta heq vetë atë shtyllë.

“Komuna duhet të bëjë kërkesë tek ne për zhvendosjen e shtyllës, ne i’a japin zgjidhjen teknike por ajo duhet ta largojë vetë shtyllën”, thotë Viktor Buzhala për Ekonomia Online.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme