Basha thirrje Berishës: Boll ndihmove Edi Ramën

Prishtinë | 11 Nën 2021 | 17:52 | Nga Ekonomia Online

Sali Berisha nuk i ka mbledhur firmat e 1/4 së anëtarëve për të thirrur Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike (PD), deklaroi kryetari i kësaj partie Lulzim Basha përpara gazetarëve një ditë pas dorëzimit të firmave të mbledhura nga Berisha në selinë e kaltër.

“Jam thellësisht i zhgënjyer nga tallja që ka bërë me demokratë dje. Nëse do t’i kishte mbledhur do t’i kishte dorëzuar sipas statutit. Sepse e gjitha ka qenë një blof dhe ajo që e nisi si një betejë gjoja për demokratizimin e PD-së përfundoi si një betejë për hallet e tij personale dhe pushtetin e tij personal”, tha Basha.

Kreu i PD-së theksoi se nuk do të ketë asnjë Kuvend Kombëtar për të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane dhe se kjo forcë politike nuk do të kthehet në bunker për interesat personale të Sali Berishës.

Basha kishte edhe një thirrje për Berishën.

“Kemi të dhëna që regjimi është bërë pjesë e përpjekjes për një puç brenda PD-së. Boll harxhove kohën dhe energjitë e demokratëve. Boll ndihmove Edi Ramën”, tha Basha.

Por, në përgjigje të akuzave të Bashës, ish deputeti Gent Strazimiri deklaroi se firmat e mbledhura do të verifikohen në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit.

“Në çdo rast dhe sikur të kishin shkuar në zyrën e Lulzim Bashës, prapë Lulzim Basha verifikimin nuk e bën dot sepse nuk e ka kompetencë. E bën vetëm vetë kuvendit përmes komisionit te verifikimit të mandateve”, tha Strazimiri.

Ish-kryeministri dhe ish kryetari i PD-së Sali Berisha tha se ka mbledhur 4,200 firma të delegatëve të Këshillit Kombëtar të PD-së dhe kërkon përmes tyre mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të paritsë, të cilin e sheh si të vetmin institucion legjitim të kësaj partie.

Sipas mbështetësve të Berishës, Kuvendi Kombëtar duhet të mblidhet për të bërë ndryshime në statutit të partisë dhe për të larguar kreun aktual Lulzim Basha.

Të ngjashme