Konferenca e tretë vjetore Kuvend-Shoqëri Civile ka zhvilluar punimet qëllimi i së cilës është përfshirja sa më e madhe e organizatave të shoqërisë civile në politikë-bërje, ligj-bërje dhe ndihmë në mbikëqyrjen e ekzekutivit.
Për rolin dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe Shoqërisë Civile, foli nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Xhavit Haliti, i cili vuri në spikamë nevojën e një bashkëpunimi edhe më të thellë.
Për të avancuar edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet Kuvendit dhe Shoqërisë Civile, Haliti vuri në dukje nevojën e një infrastrukture ligjore, e cila sipas tij, do të siguronte hapësirë edhe më të madhe për një mbikëqyrje më të efektshme të ekzekutivit nga ana e Kuvendit.
Lidhur me këtë ai vlerësoi se mungesa e ministrave në interpelancë, si dhe mungesa e tyre atëherë kur deputetët adresojnë pyetje, do duhej të rregullohej në atë mënyrë që kjo të mos ndodhë.
“Duhet përcaktuar saktësisht detyrimet e ministrave ndaj Kuvendit”, u shpreh nënkryetari i Kuvendit, Haliti, i cili në vijim foli edhe për rolin e shoqërisë civile, në kuadër të transparencës dhe mbikëqyrjes së ekzekutivit, si dhe të Kuvendit.
Lidhur me këtë, Haliti pasi vuri në dukje angazhimin e organizatave të shoqërisë civile, për të cilat vlerësoi se disa nga to nuk po arrijnë të përmbushin misionin që kanë, u shpreh se “çështja e interesit publik duhet të jetë në fokus të angazhimeve nga organizatat e Shoqërisë civile”, dhe shtoi se ”ekspertiza e OJQ-ve, nuk duhet të jetë e përqendruar vetëm në interesa të caktuara, por, si ndihmë për Kuvendin dhe qytetarët e vendit”.
Punën e përbashkët ndërmjet Kuvendnit dhe Shoqërisë Civile, të realizuar deri më tani, e paraqiti Shqipe Krasniqi, zyrtare e lartë për koordinim të donatorëve dhe marrëdhënie me shoqëri civile në Kuvendin e Kosovës.
Deputeti Zenun Pajaziti, kryetar i Forumit për Transparencë Parlamentare vlerësoi se ideja e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe Shoqërisë Civile, duhet zhvilluar edhe më tej me një koordinim edhe më të madh për të rezultuar punë edhe më cilësore. Se Kuvendi realizon bashkëpunim dhe transparencë të mirë me shoqërinë civile, tha më tej Pajaziti, flasin edhe vlerësimet e deritashme të shumë organizatave prestigjioze dhe OJQ të pavarura.
Deputetja Shqipe Pantina, tha se Kuvendi si organi më i lartë në vend, si dhe më i qasshmi për qytetarët kritikohet më shumë, sepse sipas saj, për qytetarët është më e lehtë që nëpërmjet tij, të shfaqin pakënaqësitë ndaj ekzekutivit, përkatësisht, Qeverisë. OJQ-të, u shpreh deputetja Pantina në vijim, duhet të jenë edhe më aktive dhe jo të jenë vetëm si vëzhguese në punën e Kuvendit.
Në emër të INDEP-it foli Burim Ejupi, i cili u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm. Bashkëpunimi i deritanishëm tha ai, ka bërë që shumë ligje të miratuara në Kuvend të jenë të një cilësie të lartë, ndërkaq, vuri në spikamë faktin se shumë nga amendamentet e projektligjeve, të propozuara nga INDEP-i janë përkrahur në komisione.
Për bashkëpunimin e Kuvendit me KDI-në, foli Jeta Krasniqi. Ajo u shpreh e kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm dhe vlerësoi transparencën e Kuvendit, e cila sipas saj, nënkupton edhe llogaridhënie. Ajo në vijim foli edhe për disa projekte të realizuara prej tyre, duke veçuar me këtë rast projektin “Vota Ime”, për të cilin tha se realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin. Shpresoj, tha ajo në vijim, se ky bashkëpunim do të jetë edhe më i thelluar në të ardhmen.
U fol më tej për nevojën e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet OJQ-ve dhe Kuvendit, ndërkaq, në kuadër të kësaj u diskutua edhe për gjetjen e mënyrave për të realizuar këtë.
Në fund të takimit të kësaj tryeze, u nxorën edhe rekomandime, të cilat do të shërbejnë për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë Kuvend- Shoqëri Civile.