BE-ja nuk i përjashton sanksionet ndaj Italisë shkaku i buxhetit

Prishtinë | 06 Nën 2018 | 16:24 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Evropian mund t’i vë sanksione Italisë, si opsion i fundit, po qe se me Romën nuk arrihet marrëveshje rreth buxhetit italian, që shkel rregullat, sado që Brukseli dëshiron t’i shmanget një gjëje të tillë, ka thënë të marten Komisioneri i BE-së për Ekonomi.

Gjatë muajit të kaluar, Komisioni Evropian e hodhi poshtë buxhetin e Italisë, duke thënë se ai paraqiste shkelje flagrante të rregullave fiskale të Bashkimit Evropian dhe se do të mund ta rriste edhe më shumë borxhin edhe ashtu të madh publik italian, transmeton “Koha Ditore”.

“Nuk kam qenë kurrë ithtar i sanksioneve. Sanksionet janë gjithnjë dështim”, u ka thënë gazetarëve Pierre Moscovici, në suaza të një takimi të ministrave evropianë të Financave.

Sidoqoftë, i pyetur rreth Italisë, ai ka thënë: “Dua dialog, por sanksionet mund të vihen, po qe se nuk mund të mbërrijmë marrëveshje”.

Moscovici ka thënë se ende nuk është marrë vendim si të veprohet me Italinë, pasi që Roma ende ka afat për t’i ndryshuar planet buxhetore, të cilat duhet t’i dorëzojë më 13 nëntor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme