BE-ja shpreson se ngjarjet në veri nuk do të ndikojnë në takimin Bislimi-Petkoviq

Prishtinë | 03 Pri 2023 | 15:31 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga vlerësimet të cilat mund ta prishin atmosferën në dialog. Nga Bashkimi Evropian shpresojnë që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit.

Kështu tha sot gjatë një konference për media zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

‘’Në këtë takim pritet të diskutohet për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, kanë thënë zyrtarët evropianë, raporton REL.

Ekipet negociatore të Kosovës dhe Serbisë pritet të takon gjatë ditës së nesërme.

Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pranuan Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.

Theksojmë se mbrëmjen e së shtunës janë djegur tri vetura në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Dy prej veturave ishin me targa RKS, ndërsa njëra me targa të Beogradit.

Të ngjashme