Behrami: PDK nuk i është përkulur as diktatorëve, kemi bërë kompromise për institucione dhe stabilitet

Prishtinë | 24 Kor 2026 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka thënë se brenda kësaj partie ka njerëz që nuk i janë nënshtruar as figurave autoritare të së kaluarës dhe se nuk do t’i nënshtrohen askujt tjetër.

Në një postim në Facebook, Behrami ka deklaruar se PDK-ja ka tentuar që nga viti 2024 të kontribuojë në krijimin e institucioneve të vendit, duke bërë sipas tij edhe kompromise të vështira politike.

“Brenda PDK-së keni njerëz që nuk ia kanë shtrirë kokën as Titos, as Millosheviqit, as diktatorëve shumë më të mëdhenj e autokratëve shumë më të mëdhenj. Nuk ia shtrijnë as këtij”, ka shkruar Behrami.

Ai ka thënë se partia e tij ka bërë përpjekje për të sjellë stabilitet politik, edhe përmes vendimeve që mund të kenë qenë të vështira për elektoratin.

“Si PDK, ne prej vitit 2024 jemi munduar të kontribuojmë në krijimin e institucioneve. Kemi bërë kompromise të dhimbshme, disa edhe për elektoratin ndoshta të pafalshme, por jemi munduar me i dhënë vendit institucione dhe stabilitet politik”, ka deklaruar Behrami.

Të ngjashme