Beogradi synon që Këshillin Kombëtar Boshnjak ta shndërrojë në fetar

Prishtinë | 29 Gus 2018 | 10:13 | Nga

Beogradi do të bëjë gjithçka për ta vënë Këshillin Kombëtar Boshnjak në duart e hoxhallarëve dhe kështu ta kthejë nga institucion kombëtar në atë fetar, shkruan Demo Halilagiq në “Sandzacke novine”, transmeton Koha.net.

Që nga koha e Nikolla Pashiqit, regjimi i Beogradit po përpiqet të ulë boshnjakët nga Sanxhaku në një grup fetar. Pasi që shkatërroi Xhemijetin, i ndau boshnjakët nga organizata myslimane jugosllave dr. Mehmed Spahos dhe detyroi boshnjakët të jenë me Partinë e tij Radikale, ashtu siç bën edhe Vuçiq sot. Pashiq pastaj u mbështet tek myftinjtë.

Këtë përpjekje e kanë zgjeruar partizanët. U likuidua Rifat Burxheviq – Trsho, i cili ishte një përfaqësues i boshnjakëve të Sanxhakut, ndërsa myftiu i kuq Murat Sheqeragiq mori vendin e tij. Në kohën e Titos selia e bashkësisë islame ishte e vendosur në Prishtinë dhe regjimi i Beogradit ishte mbështetur në poltronët e vet komunistë nga Sanxhaku, të cilët menduan dhe punuan njëjtë si Beogradi.

Në kohën e Millosheviqit, boshnjakët e Sanxhakut ishin vetëm masë biologjike .

Në përgjigjet dhe komentet në raportet ndërkombëtare për shkeljen e të drejtave të njeriut, ata u paraqitën si qytetarë të besimit mysliman.

Në kohën e Zoran Gjingjiqit ata u trajtuan si një grup fetar që nuk ka të bëjë fare me boshnjakët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Gjingjiq favorizoi udhëheqësit fetarë duke u dhënë atyre privilegje të ndryshme, duke i lidhur ata me Beogradin.

Të njëjtën praktikë e mori Aleksandar Vuçiq në përpjekje të rekrutojë nga Bashkësia Islame një lider gjithboshnjak.

Në nëntor do të ketë zgjedhje për këshillat kombëtare të pakicave kombëtare. Beogradi do të bëjë gjithçka që Këshillin Kombëtar Boshnjak ta dorëzojë në duart e hoxhallarëve dhe në këtë formë institucionet kombëtare t’i shndërrojë në ato fetare. Nga 21 këshilla kombëtare në Serbi, kjo do të ndodhë vetëm me boshnjakët. Në këtë mënyrë, Beogradi do të marrë një udhëheqës suprem sipas vullnetit të tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme