Berisha u prit nga Nurettin Canikli, ministër i Mbrojtjes së Republikës së Turqisë

Prishtinë | 06 Dhj 2017 | 15:55 | Nga

Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha u prit sot me nderime të larta ushtarake, në Ankara, nga ministri i Mbrojtjes i Republikës së Turqisë, Nurettin Canikli.

Në takimin e përbashkët të ministrave Berisha dhe Isik u bisedua për marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë në fushën e sigurisë dhe u theksua gatishmëria e dy ministrive për vazhdimin dhe intensifikimin e këtyre marrëdhënieve edhe në të ardhmen.

Me këtë rast, ministri Berisha ka falënderuar ministrin Canikli dhe nëpërmjet tij edhe popullin e Turqisë për mbështetjen e pakursyer për Kosovën dhe në veçanti për FSK-në në ngritjen, zhvillimin, profesionalizimin si dhe modernizimin e saj.

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes së Republikës së Turqisë shprehu vullnetin e Ministrisë që ai drejton, që marrëdhëniet ndërmjet dy forcave, dy ministrive dhe dy vendeve të avancohen dhe intensifikohen në të ardhmen, duke u zotuar se do ta mbështesin FSK-në në ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e saj si force moderne.

Gjatë qëndrimit në Ankara, ministri Berisha ka takuar edhe shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Turqisë, gjeneral Hulusi Akar, nga i cili ka kërkuar që bashkëpunimin ushtarak ta vazhdojnë me partneritet të ngushtë.

Ministri Berisha dhe delegacioni i FSK-së ka takuar edhe kadetët e FSK-së të cilët janë duke vazhduar shkollimin dhe trajnimet e tyre në Turqi, me përkrahjen e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme