Besnik Bislimi e quan maskaradë lirimin e tre policëve kosovarë

Prishtinë | 26 Qer 2023 | 16:48 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka reaguar pas lirimit të tre zyrtarëve policorë është ishin rrëmbyer nga forcat serbe.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bislimi e ka quajtur maskaradë veprimin e Serbisë.

“Përveç që nxiti tensione të rrezikshme për dy javë rresht me urdhërin për kidnapimin e policëve shqiptarë brenda territorit të Kosovës, Vuçiç vazhdon edhe tutje talljen si me popullin e tij, me nocionin e sundimit të ligjit brenda Serbisë, me sigurinë e rajonit dhe me gjithë faktorin ndërkombëtar”.

“Krejt këtë, me shpresën se do shmang përpjekjet për implementim të menjëhershëm të marrëveshjes bazike dhe aneksit implementues të Ohrit në këmbim të angazhimeve për menaxhim krizash afatshkurtra, si dhe me shpresën për shmangie të vëmendjes nga pakënaqësitë enorme të qytetarëve serb me pushtetin e tij mafioz”, ka theksuar Bislimi.

Sipas tij, fokusi tek lirimi i pakusht i tre policëve të kidnapuar është përpjekje e lodhtë për t’i ikur boshtit të diskutimit. “Implikimet si për sigurinë nacionale dhe atë rajonale, ashtu edhe për misionin e KFOR-it në Kosovë do duhej të ishin tema e vetme e adresuar. Kjo nuk mundet dhe nuk guxon asesi të kamuflohet me lirimin e rrejshëm dhe mediatik të policëve të kidnapuar”.

Postimi i tij i plotë:

Nga një maskaradë në tjetrën.

Përveç që nxiti tensione të rrezikshme për dy javë rresht me urdhërin për kidnapimin e policëve shqiptarë brenda territorit të Kosovës, Vuçiç vazhdon edhe tutje talljen si me popullin e tij, me nocionin e sundimit të ligjit brenda Serbisë, me sigurinë e rajonit dhe me gjithë faktorin ndërkombëtar.

Krejt këtë, me shpresën se do shmang përpjekjet për implementim të menjëhershëm të marrëveshjes bazike dhe aneksit implementues të Ohrit në këmbim të angazhimeve për menaxhim krizash afatshkurtra, si dhe me shpresën për shmangie të vëmendjes nga pakënaqësitë enorme të qytetarëve serb me pushtetin e tij mafioz.

Kidnapimi i tre policëve ishte brenda territorit të Republikës së Kosovës dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim as edhe te bashkësia ndërkombëtare.

Fokusi tek lirimi i pakusht i tre policëve të kidnapuar është përpjekje e lodhtë për t’i ikur boshtit të diskutimit. E ky është tek fakti që forcat speciale antiterror të Serbisë janë futur jo vetëm në zonën neutrale, por edhe brenda territorit të Kosovës. Me shumë gjasë për ndonjë aktivitet tjetër subverziv, por që ka përfunduar me kidnapimin e 3 policëve kufitarë.

Implikimet si për sigurinë nacionale dhe atë rajonale, ashtu edhe për misionin e KFOR-it në Kosovë do duhej të ishin tema e vetme e adresuar. Kjo nuk mundet dhe nuk guxon asesi të kamuflohet me lirimin e rrejshëm dhe mediatik të policëve të kidnapuar.

Vendimi i sotëm i gjykatës së Kralevës është çertifikimi më i fuqishëm i bankrotimit të shtetit ligjor të Serbisë. Një gjykatë shtetërore, merr vendim për akomodim të një premtimi politik të presidentit të shtetit. Një vendim që çon në mbrojtje në liri të tre të “akuzuarve” për armëmbajtje pa leje dhe ka brenda vetes edhe konstatimin se ata në momentin e “arrestimit” ndodheshin brenda territorit të Serbisë, nuk ka nevojë për ndonjë komentim.

Cili shtet me minimum demokracie dhe sundim të ligjit do të lironte në mbrojtje në liri, edhe me largimin e garantuar në një vend tjetër, tre persona të uniformuar të një shteti tjetër të cilët kanë hyrë ilegalisht dhe të “armatosur rëndë” në brendësi të territorit të tij.

Në fakt ky vendim e nxjerr haptazi të zhveshur gënjeshtrën që Vuçiç është përpjekur ta mbjellë tek ndërkombëtarët, pra është pranim që këta polic janë kidnapuar në brendi të një shteti tjetër. Dhe këtu duhet të fillojë diskutimi për përgjigjen që duhet t’i jepet Serbisë së Vuçiçit për këtë akt të rrezikimit të përgjithshëm të sigurisë rajonale.

Vërehet shumë qartë që i gjithë ky skenar i deritanishëm kishte si qëllim parësor konfirmimin e Vuçiçit si mjeshtër të eskalimit për ta pasuar atë në një moment politikisht të volitshëm me veprime të “deeskalimit”. Një strategjie të implementuar në katër hapa:

1. Tensionimi dramatik i situatës brenda territorit të Kosovës

2. Propagandimi i fuqishëm me synim të ekspozimit në sytë e bashkësisë ndërkombëtare të palës kosovare si fajtore për tensionim

3. Nxjerrja e kërkesave për përfitime që do duhej t’i rridhnin atij si elemente të pashmangshme për deeskalim

4. Marrja e hapave deeskalues që e nxjerrin atë si viktimë e gatshme për hapa “konstruktiv”

Për zbatimin e kësaj strategjie, Vuçiç ka investuar tepër shumë, me çka e ka nxjerrë këtë si investim me dozë të lartë të rrezikut.

Ka dërguar forcat e tij antiterror në brendësi të një shteti tjetër, e i cili për më tepër e mbron kufirin me trupa të NATO-s, duke sfiduar kështu haptazi vijat e kuqe të NATOs;

ka diskredituar turpshëm tërë shërbimin diplomatik të vendit duke e detyruar të lëshohet në kampanjë të gjerë dezinformimi të vendeve partnere;

si dhe ka shpenzuar me gjasë miliona euro të mjeteve publike dhe parave tjera të pista në influencimin e narrativës dominuese gjatë draftimit të opinioneve apo qëndrimeve të bashkësisë ndërkombëtare.

Kthimi i pritur nga ky investim me shkallë të lartë rreziku do ishte:

shmangia e fokusit të bashkësisë ndërkombëtare nga zbatimi i plotë i marrëveshjes bazike dhe aneksit implementues të Ohrit, me shpresë tek ndryshimet eventuale politike në demokracitë kyçe perëndimore;

përmirësim i pozicionit ndërkombëtar të Serbisë si palë “konstruktive” në dialogun me Kosovën;

shmangie e fokusit nga presioni ndërkombëtarë për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë;

krijimi i tensioneve artificiale që e zhvendosin fokusin nga presionet e brendshme politike për Vuçiçin në Serbi;

dokumentim i pozicionit të tij dominues në Serbi edhe kur është fjala te sundimi i ligjit;

mbjellje e frikës së pashoqe tek qytetarët serb në veri të Kosovës me synim të pamundësimit të integrimit të tyre në jetën politike, ekonomike e shoqërore në shtetin e Kosovës;

si dhe rrezikimin e demokracisë së vetme në Ballkanin Perëndimor duke e portretizuar Kurtin si palë jobashkëpunuese dhe të painteresuar për normalizim.

Në këtë kontekst është jetike si për sigurinë dhe prosperitetin e gjithë rajonit që kthimi real i këtij investimi të Vuçiçit të duket ndryshe.

Që në vend të mashtrimit të synuar të qartësohet për secilin brenda dhe jashtë regjionit që kidnapimi ka ndodhur brenda territorit të Kosovës;

të fillojë debati për pasojat që duhet të bartë Serbia për ndërhyrjet e vazhdueshme në territorin e një shteti fqinj duke e destabilizuar si Kosovën ashtu edhe rajonin, përfshirë këtu edhe dërgimin e njerëzve të uniformuar në brendësi të territorit të Kosovës;

që imazhi i sundimit të ligjit në Serbi ka pësuar një dëmtim vështirë të riparueshëm;

dhe që reputacioni i bashkësisë ndërkombëtare po dëmtohet fuqishëm për aq kohë sa vazhdojnë ta trajtojnë si palë konstruktive dikë me potencial kaq destruktiv si puna e Vuçiç dhe vendos masa shtrënguese ndaj demokracisë së vetme dhe vendit më properëndimor në gjithë Ballkanin.

Të ngjashme