Bideni i kërkon Netanyahut të dalë me një plan për mbrojtjen e civilëve

Prishtinë | 16 Shk 2024 | 12:04 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, gjatë një bisede telefonike të enjten vonë, ia ka tërhequr vërejtjen kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, se nuk mund të zhvillojë ndonjë operacion ushtarak në Rafah, pa “një plan të besueshëm dhe të zbatueshëm” për t’i mbrojtur civilët.

Izraeli ka deklaruar ditë më parë se do të nisë një ofensivë tokësore në qytetin e Gazës, mirëpo është vënë nën presion të madh ndërkombëtar që të ofrojë siguri për civilët, raporton Sky News.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se dy liderët kanë diskutuar për “urgjencën për të siguruar që ndihma humanitare të jetë në gjendje të arrijë tek civilët palestinezë në nevojë”.

“Presidenti po ashtu ka ngritur çështjen e situatës në Rafah, dhe ka ripërsëritur pikëpamjen se operacioni ushtarak nuk duhet të zhvillohet pa një plan të besueshëm dhe të zbatueshëm për të ofruar siguri dhe mbështetje për civilët në Rafah”, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Bideni dhe Netanyahu kanë diskutuar po ashtu për negociatat e vazhdueshme për pengjet, derisa Izraeli kërkon t’i kthejë qytetarët e tij që janë ende në robëri të Hamasit.

Të ngjashme