Bislimi i thotë zyrtarit të MPJ-së holandeze se Kosova është e gatshme për anëtarësim në BE

Prishtinë | 23 Maj 2023 | 18:17 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, ka takuar drejtorin e Departamentit për Evropë në ministrinë e Jashtme të Holandës, Erik Weststrate bashkë me ambasadoren holandeze në Kosovë, Carin Lobbezoo.

Në takim u fol për rrugën e Kosovës drejt BE-së, ku Bislimi tha se Kosova është gati të bëjë hapa tutje drejt Bashkimit Evropian dhe ta dërgojë marrëdhënien dypalëshe në nivel tjetër.

“Zëvendëskryeministri Bislimi tha se institucionet tona janë të maturuara dhe të gatshme për të kontribuar pozitivisht në këtë proces e për të ecur tutje në përmbushjen e hapave të nevojshme, në rrugën drejt BE-së”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Tutje, bëhet e ditur se në takim u fol edhe për dialogun, teksa palët ranë dakord që të vazhdojnë marrëdhëniet dypalëshe.

“Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi z. Weststrate dhe ambasadoren Lobbezoo edhe mbi procesin e dialogut dhe takimin e fundit të mbajtur në Bruksel, të hënën e kaluar. Në përfundim të takimit palët shprehën vullnetin dhe gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e ngushta mes dy shteteve tona, e për të vijuar intensifikimin e tyre”, thuhet në njoftimin e qeverisë.​

Të ngjashme