Bliçik: Nëse Serbia vazhdon të ulet në dy karrige, do të ketë pasoja të rënda

Prishtinë | 26 Jan 2023 | 09:15 | Nga Ekonomia Online

Nuk do të ketë përparim në procesin e negociatave të Serbisë me Bashkimin Evropian nëse nuk ka përparim në fushën e sundimit të ligjit, dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe harmonizimit të politikës së jashtme me Brukselin, mbi të gjitha në fushën e sanksioneve kundër Rusisë, ka thënë raportuesi i Parlamentit Evropian (PE) për Serbinë, Vladimir Bilçik.

Bilçik ka thënë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe se është e mundur që investimet e huaja të jenë në rrezik për shkak të pozicionit aktual të Serbisë dhe ka thënë se “ka kaluar koha kur ishte e mundur të ulet në më shumë se një karrige”, transmeton Paparaci.

“Është e rëndësishme të kuptohet se këto tri gjëra janë të ndërthurura: normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, puna për sundimin e ligjit, demokracinë dhe reformat, si dhe harmonizimi me pozicionin e BE-së në politikën e jashtme, veçanërisht prejse Rusia ka filluar pushtimin e Ukrainës – e gjithë kjo është e lidhur. Dhe sa më shumë që Serbia të bëjë për reformat, demokracinë dhe harmonizimin, aq më të lehta do të jenë diskutimet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe sa më shumë të ketë përparim në dialog, aq më lehtë do të jetë hapja e fushave të tjera në integrimin evropian. Pra, gjithçka është e lidhur në një paketë dhe ajo paketë nuk mund të shmanget”, ka thënë Bilçik.

I pyetur nëse negociatat do të ndërpriten, apo nuk do të ketë përparim, nëse Serbia nuk i plotëson kriteret në këto fusha, ai u përgjigj se gjithçka është në duart e Serbisë.

“Gjithçka që është hapur deri më tani – kështu qëndron, por vendimet kryesore janë në duart e Serbisë. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për presion të jashtëm, për ultimatum nga BE-ja, por për zgjedhjen e Serbisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Serbia ka bërë një zgjedhje para disa vjetësh dhe tani rrethanat dhe konteksti janë të vështira për të gjithë, duke shtuar se BE-ja dëshiron që Serbia të jetë konsistente me zgjedhjen e saj.

“Është koha të vendoset për një zgjedhje. Ky është mesazhi që kemi dërguar gjatë gjithë kohës që nga shkurti 2022 dhe nuk do të ndryshojë. Serbia duhet të zgjedhë. Serbia është një vend sovran që besoj se ka vend në BE dhe se ka kapacitet për të përmbushur kërkesat për anëtarësim. Thjesht duhet të merren disa vendime të vështira politike”, ka thënë Bilçik, përcjell Paparaci.

Serbia, si shtet sovran, para disa vjetësh ka marrë vendim për fillimin e negociatave me BE-në dhe dëshira është që ato të përfundojnë me sukses.

“Por i gjithë ky proces nuk është në përputhje me zhvillimin e lidhjeve të ngushta me vendet luftënxitëse, autokratike. Më lejoni të jem shumë i qartë – kanë kaluar kohët kur ishte e mundur të ulet në më shumë se një karrige. Nëse Serbia dëshiron të përparojë drejt BE-së, duhet të bëjë zgjedhje të qarta”, përsërit Bilçik.

I pyetur për pasojat, ai thotë se – nëse Serbia tani është e ulur në fund të trenit që çon në BE atëherë është e qartë se do të ketë pasoja.

“Nëse kushtet në një vend janë të tilla që investitorët kanë dyshime për qëndrueshmërinë e investimeve, nëse ka probleme që kanë të bëjnë me sigurinë, pozitën strategjike, stabilitetin – dhe ne e pamë se çfarë ndodhi në Kosovë në javët e kaluara; nëse ka probleme në lidhje me institucionet publike, sundimin e ligjit; nëse ka ndikim të mundshëm të vendeve të treta në politikë, biznes, mjedis – dhe këto ndikime vijnë nga vende që janë haptas armiqësore ndaj Evropës dhe parimeve të saj, atëherë vetëkuptohet se kjo do të ketë pasoja të rëndësishme për ekonominë, politikën dhe klimën e investimeve. Dhe kjo nuk është çështje e ndonjë bisede të fshehtë, por e realitetit”, shtoi ai.

I pyetur nëse ekziston rreziku që BE-ja të rivendosë vizat për Serbinë, ai përgjigjet se çdo fushë që nuk është mbyllur dhe në të cilën negociatat nuk kanë përfunduar, mund të rishqyrtohet nëse ka arsye të mira për këtë.

Të ngjashme