Bllokada në Kuvendin e Kosovës po ndikon drejtpërdrejt në proceset integruese dhe rrezikon përfitimin e fondeve nga Bashkimi Evropian, vlerëson profesori universitar, Gëzim Qerimi.
Ai në intervistë për Ekonomia Online, tha se Kosova është përfituesja kryesore nga fondi prej miliarda eurosh për Ballkanin Perëndimor, por për shkak të mungesës së miratimit të marrëveshjes me BE-në, rrezikon të humbasë qasje në mbi 820 milionë euro.
“Nëse kjo bllokadë vazhdon deri më 1 korrik, Kosova humbet mundësinë të përfitojë së paku 90 milionët e para për reforma në ekonomi, arsim dhe mirëqenie sociale. Bllokada në Kuvendin e Kosovës drejtpërdrejtë ka ndikim në proceset integruese të Kosovës.
Dihet fakti që Bashkimi Evropian ka miratuar një Fond të Rritjes me miliarda euro për Ballkanin Perëndimor. Nga ky fond përfituesja numër një është Kosova, por si pasojë e kësaj bllokade Kosova nuk ka qasje në këto fonde e që shifra është mbi 820 milionë euro. Në realitet, arsyeja është që kërkohet të miratohet marrëveshja me BE-në në Kuvendin e Kosovës dhe institucionet tona si duket një gjë të tillë nuk e kanë parasysh”, tha Qerimi.
Ai kërkoi më shumë përgjegjësi nga skena politike dhe theksoi nevojën për një marrëveshje politike ose krijimin e një qeverie teknike, që të mund të miratohej marrëveshja me BE-në në Kuvend.
“Mungesa e implementimit të kësaj marrëveshjeje me BE-në do të ketë pasoja të drejtpërdrejta edhe në rrugëtimin e vendit tonë. Skena politike do të duhej që interesat e qytetarëve e Kosovës t’i vendos para interesave të tyre personale dhe partiake”, shtoi ai.
Qerimi tha se është e pafalshme që si pasojë e kësaj neglizhence Kosova të humbasë mbi 820 milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian.
“Dikush duhet të japë llogari për këto dështime. Nëse së paku nuk ka vullnet për një marrëveshje politike, atëherë le të themelohet një qeveri teknike dhe t’i miratoj këto marrëveshje të BE-së në Kuvend dhe pastaj të kenë marrëveshje politike për zgjedhjet të reja të jashtëzakonshme”, tha për EO, Qerimi.