Bordi i RTK-së “legjitimon” zgjedhjen e drejtorit, akuzohet për shkelje të rëndë ligjore

Prishtinë | 25 Pri 2019 | 07:58 | Nga Ekonomia Online

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës përmes një opinioni ligjor të Zyrës Ligjore të RTK-së “ka legjitimuar” zgjedhjen e Ngadhënjim Kastratit drejtor të përgjithshëm të RTK-së.

Por, dhënia e interpretimit nga Zyra Ligjore e RTK-së, institucion ky brenda RTK-së, është konsideruar shkelje e rëndë ligjore dhe me pasoja të veprës penale nga ekspertë juridikë. Sipas tyre, çdo interpretim i ligjit nga mekanizmat brenda institucionit punëdhënës është i paqëndrueshëm, shkruan sot Koha Ditore.

Bordi i RTK-së më 19 prill ka votuar për zgjedhjen e drejtorit. Por, kandidati Ngadhënjim Kastrati kishte arritur të siguronte 6 vota për dhe 1 kundër. Edhe pse Ligji për RTK-në, përkatësisht neni 32.3 i tij përcakton që “drejtori i përgjithshëm i RTK-së emërohet dhe shkarkohet me 2/3 e votave të anëtarëve të Bordit”, që, sipas ekspertëve, nënkupton se për zgjedhje nevojiten 7 nga 11 anëtarë sa me ligj i ka Bordi i RTK-së, Zyra Ligjore është përgjigjur ndryshe. Sipas saj, “mungesa e 4 anëtarëve të Bordit nuk mund të merret parasysh si pjesë e kuorumit pasi që mandatet e tyre janë joekzistente dhe se ato nuk mund të ushtrojnë mandatin e tyre sipas ligjit dhe përmes votës, në procesin e emërimit të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, sepse zgjedhja e tyre është një rrethanë e ardhshme e pasigurt, e cila nuk dihet se kur mund të ndodhë”.

Ky opinion ligjor, të cilin e posedon gazeta, mban nënshkrimin e zyrtarit ligjor, Shqipërim Spahiu, e jo të drejtorit të Zyrës Ligjore, Liridon Dalipi.

Të ngjashme