Britania e Madhe premton 200 milionë funte për viktimat e luftës civile në Jemen

Prishtinë | 25 Shk 2019 | 11:17 | Nga Ekonomia Online

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka premtuar se vendi i saj do t’i dhurojë 200 milionë funte për t’i ndihmuar viktimat e luftës në Jemen, duke bërë thirrje që kjo krizë civile të marrë fund.

Ajo e ka dhënë këtë njoftim pasi arriti në Sharm El Sheikh të Egjiptit, ku Bashkimi Evropian dhe shtetet tjera do ta zhvillojnë një samit. “Ne po e kryejmë pjesën tonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, por komuniteti ndërkombëtar mund të bëjë më shumë”, tha ajo, duke shtuar se do të bëjë thirrje për dhurim të ndihmave që janë shumë të nevojshme.

Ajo ka planifikuar të takohet edhe me një delegacion shtetëror të Arabisë Saudite, me të cilët do të bisedojë për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Lidhur me çështjen e luftës në Jemen, ajo tha: “Duhet të ketë marrëveshje politike. Kjo është mënyra e vetme për t’i dhënë fund kësaj krize dhe vuajtjeve që ajo ka shkaktuar. Është shënuar përparim për ta arritur zgjidhjen, por dritarja e mundësive po mbyllet”.

Kryeministrja britanike ka shtuar se armëpushimi duhet të respektohet plotësisht nga të dyja palët në mënyrë që të arrihet më shpejt marrëveshja përmes negociatave dhe të shpërndahen ndihmat humanitare, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme