Britania thotë se prekja e kufijve Kosovë-Serbi bartë në vete rrezik dhe çmim

Prishtinë | 25 Gus 2018 | 18:49 | Nga

Britania e Madhe konsideron se diskutimet për ndarje ose ndryshim të mundshëm të kufijve të Kosovës, për demarkacion ose shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të marrin parasysh të gjitha çështjet, rreziqet dhe çmimet që hapin këto tema.

Këtë e ka thënë për Radion Evropa e Lirë (shërbimi ballkanik) ambasadori britanik në Beograd, Denis Keefe.

I pyetur nëse duhet pritur që kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, mund të bëjë diçka të ngjashme me kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila është deklaruar haptas se është kundër kufijve të rinj në Ballkan, Keefe thotë:

“Kancelarja flet në emër të Gjermanisë. Qëndrimi ynë është që, kur i shohim këto ide, sepse ne ende nuk kemi ndonjë propozim apo plan, por vetëm ide, ne shohim çështje, rrezik dhe çmim. Mendoj se këto duhen marrë parasysh”, transmeton Koha.net.

Keefe saktëson se cilado ide që del nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë reale dhe e arritshme.

“Duhet të pyeteni se si ajo [ide] do të kontribuojë në përmirësimin e jetës së njerëzve në terren, si do të kontribuojë në përparimin e rajonit, si do të përshtatet me zhvillimet në skenën ndërkombëtare”, tha Keefe.

Ambasadori britanik në Beograd thotë se Britania dhe e tërë BE-ja dëshirojnë të shohin normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që do të futej në një marrëveshje ndërkombëtare dhe e cila do të sillte siguri, stabilitet dhe prosperitet për të gjithë.

“Kjo nuk arrihet lehtë. Dialogu deri tani nuk ka sjellë ndonjë propozim apo plan përmes së cilit kjo mund të arrihet. Ajo që duhet të gjithë të bëjmë është të mbështesim dialogun në mënyrë që ai të arrijë tek ajo pikë. Po ashtu, ne duhet të japim kontributin tonë duke parashtruar pyetjet e duhura për të ndihmuar që të arrihet një marrëveshje që është reale dhe e cila zgjidh problemet në periudhë afatgjate, që përmirëson jetën e përditshme të qytetarëve në atë pjesë dhe në rajon në përgjithësi”, theksoi ambasadori britanik në Beograd, Denis Keefe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme