Bujar Osmani sërish në Kiev: Do të dalim në terren

Prishtinë | 16 Jan 2023 | 09:44 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot në mëngjes ka mbërritur në Kiev, që është vizita e parë pune në kuadër të kryesimit të Maqedonisë me OSBE-në. Osmani njofton se do të jetë në terren, ku do të vizitojë zonat e prekura nga aksionet ushtarake dhe do të takohet drejtpërdrejt me njerëzit në terren.

“Do të kemi takime të shumta me përfaqësuesit e lartë shtetëror të Ukrainës. Situata në Ukrainë, me fokus të veçantë tek njerëzit në terren, është një nga prioritetet kryesore të kryesimit të Maqedonisë me OSBE-në”, ka thënë Osmani.

Prioritet i presidencës së Maqedonisë do të jetë siguria njerëzore në një epokë të pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë rajonale dhe globale, me theks të veçantë në situatën në Ukrainë, paralajmëroi Osmani ditë më parë.

“Ukraina do të mbetet prioriteti ynë kryesor. Agresioni duhet të ndalet. Shkatërrimi dhe vrasja e popullatës civile është e papranueshme. Është shqetësuese të shohësh njerëzit që vuajnë. Pasojat dhe kostoja e kësaj lufte për rajonin e OSBE-së dhe më gjerë janë të mjerueshme dhe të padurueshme”, tha Osmani.

Kjo është vizita e dytë e Osmanit në Ukrainë, pasi në fillim të majit 2022, si ministër i Punëve të Jashtme, ai zhvilloi një takim në Kiev me shefin e diplomacisë ukrainase, Dmytro Kuleba dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë të Ukrainës.

Të ngjashme