Butikofer pyet Borrellin e Lajçakun: A keni më dyshime për përfshirjen e Serbisë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës?

Prishtinë | 26 Sht 2023 | 17:33 | Nga Ekonomia Online

Eurodeputeti gjerman nga radhët e “Të Gjelbërve”, Reinhard Butikofer, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në platformën “X”, derisa ka etiketuar shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe emisarin e posaçëm, Miroslav Lajçak, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është përgjegjës për eskalimin e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë.

Butikofer, derisa ka shpërndarë një video ku shihet nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – Milan Radoiçiç, gjatë sulmit terrorirst kundër Policisë së Kosovës në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, ka thënë se zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) nuk duhet të kenë dyshime për përfshirjen e Serbisë në vrasjen e një rreshteri të Policisë së Kosovës.

“Nuk besoj seriozisht se kryeministri i Kosovës Albin Kurti mund të mbajë përgjegjësi për këtë, apo nuk jeni dakord Josep Borrell? Dhe seriozisht nuk besoj se mund të ketë dyshim se autoritetet e Beogradit kanë qenë bashkëpunëtorë, apo nuk jeni dakord Miroslav Lajcak? Tani çfarë do të bëni?”, ka pyetyr Butikofer të martën pasdite.

Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur rëndë në hyrje të fshatit Banjskë në veriun e territorit të banuar kryesisht me shumicë serbe, qëlluan me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe lënduar dy tjerë.

Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar nga shteti serb.

Pjesëtarët e këtij grupi, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë. Në mesin e tyre edhe Radojiçiç.

Kjo bandë që cenoi sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizua nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbësheje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe tetë janë arrestuar deri më tash, ndërsa të tjerët u arratisën në Serbi.

Të ngjashme