Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe me mbështetjen e partnerit strategjik International Health Services (IHS), ka organizuar për herë të parë një trajnim për koordinatorët e cilësisë në kuadër të SHSKUK-së.
Trajnimi 4-ditor arriti të përmbushë synimet e paracaktuara duke ngritur kapacitetet teorike dhe praktike të zyrtarëve të cilësisë për të projektuar dhe nisur zbatimin e Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë brenda institucioneve shëndetësore të kujdesit spitalor.
Meqenëse ky aktivitet po fillon rishtas në nivelin tretësor shëndetësor, si i tillë përbën një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të sistemit shëndetësor më cilësor dhe më të besueshëm.
Në këtë trajnim janë certifikuar 33 koordinatorë të cilësisë, me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, rritjen e sigurisë së pacientëve dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale në kujdesin spitalor.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në ngritjen e standardeve dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarët.