Ambasadorja Çitaku vizitoi ekipin e Kosovës në garën e robotikës, FIRST Global Challenge
Ambasadorja në detyrë e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku ka vizituar ekipin e Kosovës në garën më të madhe ndërkombëtare në fushën e robotikës, FIRST Global Challenge, që po mbahet në SHBA.
Me këtë rast, Çitaku ka thënë se ndjehet krenare që të rinjtë kosovarë po e përfaqësojnë vendin në mesin e shumë shteteve të tjera të botës.
“Pata kënaqësinë që takova ekipin e mrekullueshëm dhe entuziast të Kosovës, që po merr pjesë në garën ndërkombëtare të robotikës. Jam krenare për mendjet e tyre inovative, kureshtare dhe të bukura. Të rinjtë si ata do të lëvizin Kosovën përpara në shekullin e 21-të”, ka thënë Çitaku përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.
Nën mentorimin e rektorit të UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, nxënësit kosovarë të shkollave të mesme, Elita Hajrizi, Liburn Bajraktari, Flokart Pajaziti, Gëzim Morina dhe Rigon Statovci, janë duke prezantuar aftësitë në fushën e robotikës.
Pjesë e kësaj gare janë të rinj nga 164 shtete të ndryshme të botës, të cilët do ta sfidojnë njëri-tjetrin, përmes dizajnimit dhe programimit të një roboti, për ndërtimin e të cilit është dashur të bashkohen aftësitë, idetë dhe kreativiteti në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.