Çka bleu e shiti më së shumti Kosova vjet, këto janë 10 produktet më të importuara e eksportuara

Prishtinë | 21 Jan 2023 | 13:39 | Nga Ekonomia Online

Instituti GAP ka publikuar një infografike, përmes së cilës ka treguar se çka ka eksportuar dhe importuar Kosova më së shumti gjatë vitit 2022. Të dhënat janë marrë nga Dogana e Kosovës.

Sipas kësaj infografike, Kosova më së shumti ka eksportuar dyshekë, që përbëjnë 15 përqind të eksportit.

Pas dyshekëve, më së shumti ka eksportuar dyer e dritare, apo 7.8 përqind.

Gjatë vitit të kaluar, Kosova ka eksportuar edhe energji elektrike në vlerë 63 milionë euro.

Më pas renditen tubat prej çeliku ose hekuri, mbetje dhe skrap hekuri, pllaka dhe shirita prej plastike, mobilje, pije freskuese dhe në fund produktet ndërtimore.

Ndërkohë, ka importuar më së shumti naftë dhe vajra. Përgjatë vitit të kaluar, Kosova ka blerë naftë dhe vajra në blerë 687 milionë euro.

Pas naftës, renditen veturat, importi i së cilave sillet rreth 300 milionë euro.

Edhe te importi, energjia elektrike renditet e treta. Më pas te produktet më të importuara më së shumti renditen shufrat e hekurit apo çelikut, cigaret, pijet freskuese, medikamentet, mishi, biskotat dhe produktet e tjera të bukës dhe në fund gjedhet.

GAP kishte publikuar edhe infografikë edhe dhjetë partnerët tregtarë të Kosovës.

Sipas infografikës, vendi ku Kosova eksporton më së shumti janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që përbëjnë 15.09 për qind të eksportit të përgjithshëm në një vit.

Ndërkaq, Kosova importon më së shumti nga Turqia, sipas të dhënave të Doganës. Përgjatë vitit 2022, Kosova ka importuar në vlerën prej 839.2 milionë eurove prej Turqisë.

Të ngjashme