Deklarata “për spastrim etnik të Kosovës”, kërkon falje ministrja serbe

Prishtinë | 16 Kor 2026 | 12:27 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviç, është tërhequr pas deklaratës së saj për “spastrimin etnik të Kosovës”, e cila nxiti reagime të shumta.

Ajo ka kërkuar falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiç, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut, duke pretenduar se deklarata e saj është nxjerrë jashtë kontekstit.

“Kjo ishte historia ime, jo një deklaratë politike. Është e pakëndshme që më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë”, ka thënë ajo në një intervistë për “Informer TV”.

Teksa, të mërkurën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka provuar të distancohet nga retorika e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, duke e cilësuar si “të pakujdesshme” dhe “të papërgjegjshme” deklaratën e saj, në të cilën promovohej spastrimi etnik i shqiptarëve në Kosovë.

Gjatë një prononcimi për gazetarët në Kiev të Ukrainës, kreu i shtetit serb deklaroi se qëndrimi i ministres nuk përfaqëson politikën zyrtare të tij dhe as të Qeverisë së Serbisë.

Ndërkaq, Kosova e ka shpallur person non grata Paunoviçin pas kësaj deklarate, për shkak të retorikës së saj ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Të ngjashme