Deliu-Kodra kërkon mekanizëm të pavarur për monitorimin e Dhomave të Specializuara

Prishtinë | 22 Tet 2026 | 10:51 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar që Qeveria dhe Kuvendi të mbështesin krijimin e një mekanizmi profesional dhe të pavarur për monitorimin e procedurave në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, raporotn Ekonomia Online.

Në seancën e Kuvendit, ajo ka ngritur shqetësime për të drejtat e të akuzuarve, pavarësinë dhe transparencën e kësaj gjykate, duke kërkuar që gjetjet e raportit të Avokatit të Popullit të adresohen edhe te mekanizmat ndërkombëtarë.

Deliu-Kodra ka thënë se raporti i Avokatit të Popullit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar përmban shqetësime serioze, për të cilat, së bashku me kolegun Besnik Tahiri, ka kërkuar që Avokati i Popullit të raportojë në Komisionin për Legjislacion.

“Raporti i avokatit të popullit, një raport që ngërthen shqetësime serioze, duhet vetëm të vë theksin që bashkë me kolegun Tahirin, në komisionin për legjislacion kemi kërkuar që avokati i popullit të vijë edhe të raportojë për sfidat serioze dhe problemet serioze që i inkorporon raporti i tij. Ky raport vihet menjëherë pas raportit të ekspertëve britanikë, të cilët kanë ngritur shqetësime serioze për shkelje të të drejtave të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra, javën e kaluar e thashë që është publikuar raporti i avokatit të popullit për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorisë së specializuar. Raporti ngre shqetësime serioze në raport me pavarësinë, në raport me mbikëqyrjen, dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut, përkatësisht drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Veçanërisht shqetësues është vlerësimi i avokatit të popullit se mandati i dhomave të specializuara ka pësuar devijim nga qëllimi fillestar. Pra, flasim për një dokument që ngre pikëpyetje serioze për transparencën, llogaridhënien, barazinë e palëve, dhe garancë për një gjykim të drejtë e të paanshëm. Pra, po flasim për çështje të cilat prekin të drejtën për drejtësi, lirinë dhe dinjitetin njerëzor”, tha Deliu-Kodra.

Ajo ka theksuar se, sipas raportit, institucionet e Kosovës nuk kanë pasur mundësi reale për të ushtruar mbikëqyrje dhe llogaridhënie mbi funksionimin e Dhomave të Specializuara. Gjithashtu, ka ngritur çështjen e respektimit të jetës private dhe familjare gjatë vizitave në paraburgim, barazisë së palëve dhe qasjes së mbrojtjes në materiale që mund të jenë përdorur në procedurë.

“Dhomat e specializuara nuk janë nënshtruar kontrollit demokratik nga institucionet e Kosovës, ndonëse janë themeluar mbas vendimit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës. Institucionet tona, si rrjedhojë, nuk kanë pasur mundësi reale për të ushtruar mbikëqyrje, monitorim, dhe llogaridhënie mbi funksionimin e tyre. Raporti evidenton shqetësime për respektimin e jetës private dhe familjare gjatë vizitave në paraburgim, po aq serioz është edhe shqetësimi për barazinë e palëve dhe kohën në dispozicion të mbrojtjes. Çështja tjetër që kërkon vëmendje të veçantë dhe që duhet të qartësohet është nëse mbrojtjes i është ofruar qasje e plotë në informacione mbi origjinën dhe besueshmërinë e materialeve, veçanërisht atyre të cilat kanë ardhur nga Serbia. Prandaj, këto konstatime kërkojnë përgjigje të argumentuar. Kur institucioni kushtetues për mbrojtje të të drejtave të njeriut ngre shqetësime të kësaj natyre, ky Kuvend e ka për detyrim t’i shqyrtojë ato dhe të kërkojë veprim nga institucionet përgjegjëse”, tha ajo.

Në fund, deputetja e PDK-së ka kërkuar që shqetësimet e evidentuara të trajtohen përmes një mekanizmi të pavarur dhe të adresohen te institucionet ndërkombëtare përkatëse.

“Prandaj, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkojmë që ky Kuvend, Qeveria të mundësojë mbështetjen e një mekanizmi profesional dhe të pavarur për monitorimin e procedurës pranë Dhomave të Specializuara, në përputhje të plotë me kornizën ligjore dhe garancitë për pavarësi të gjyqësorit. Shqetësimet e dokumentuara të adresohen zyrtarisht në mekanizma ndërkombëtarë si ai i Këshillit të Evropës dhe Bashkimi Evropian, por edhe tek partnerët e tjerë ndërkombëtarë, me kërkesë për vlerësim të pavarur dhe respektim të standardeve të të drejtave të njeriut”, tha Deliu-Kodra.

Të ngjashme