Deputeti i LDK-së, Arban Abrashi, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit lidhur me situatën aktuale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë tha se Qeveria e Kosovës duhet të ketë plan konkret për përmirësimin e jetës së tyre dhe gjetjes së një zgjidhje për situatën e rëndë, raporton Ekonomia Online.
Abrashi ka kërkuar që të ndryshohet gjendja në Luginë të Preshevës duke kërkuar mobilizim të institucioneve.
“Sot Qeveria e Kosovës dhe institucionet përkatëse, duhet të mobilizohen për një plan afatshkurtër dhe afatgjate. Dhe këtë nisme, ne duhet ta fillojmë sot këtu, në Kuvend, duke kërkuar nga ekzekutivi t’i përmbushë obligimet, sikurse dhe t’i tejkalojë ato, duke marrë nisma të reja sistematike, duke mbështetur një plan konkret që tejkalon mandatet qeveritare dhe politikat ditore. Ne, sot duhet të krijojmë mekanizma e projekte konkrete, sikurse plane afatgjate me njerëz përgjegjës për realizimin e tyre në funksion të përmirësimit të jetës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës, si dhe në ruajtje të identitetit të tyre kombëtar”, tha Abrashi.
Deputetja Teuta Haxhiu nga radhët e AAK-së ka deklaruar se problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës po vazhdojnë të jenë të njëjta.
Ndër to ajo ka theksuar çështjen e librave për nxënësit si dhe përdorimin e simboleve.
“Çka është shqetësuese pos që gjuhen e mësojnë ata, ata tekstet i kanë të papërkthyera, por gjinden vullnetarisht ose në suaza të mësimdhënësve për t’iu mësu arsimin shqip. Ne nuk po ia dalim si shtet që pakicat tona të diskriminuara nuk arrit ta ngrisim zërin fuqishëm tek faktori ndërkombëtar se atje shkelet e drejta elementare. Krijimi i një fondi mbështetës nga Qeveria e Kosovës për Luginën dhe realizimin e secilit projekt që ata kërkojnë me fokus rininë”, tha ajo, raporton EO.
Deputeti Dukagjin Gorani nga radhët e PSD-së, ka dhënë një propozim lidhur me çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Gorani tha se ka nevojë për themelimin e një Zyre për Luginën e Preshevës.
Kosova dhe ky Kuvend nuk mund të bëjnë shumë për shqiptarët në Serbi. Duhet se paku të hapet një Zyrë për Luginën e Preshevës në Qeverinë e Kosovës. Kjo do të vendoste një adresë të përhershme për banorët e Luginës, për të nisur një bashkëpunim kuptimplotë”, tha ai.
Deputetja Albulena Balah-Halimaj tha se përveç zyrës, do të mund ta kemi një ministri të veçantë për Luginën e Preshevës.
“Pse të mos kemi një ministri të veçantë për Luginën e Preshevës përveç zyrës së saj në Qeveri. BE-ja do duhej që përveç neve si na tërheqin vërejtjen për mosrealizimin e disa marrëveshjeve, të merret edhe me Serbinë që ti respektojnë marrëveshje t e nënshkruara”, tha ajo.