Deputeti i VV-së Enver Dugolli: Ministrja Hajdari të vetmin mëkat në rastin e aksidentimit e kishte “modestinë e tepërt”

Prishtinë | 24 Tet 2023 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugoilli, ka folur për dënimin e sotëm me 200 euro të ministres Rozeta Hajdari për goditjen e një fëmije me makinë.

Dugolli ka thënë se fatbardhësisht e mitura ka shpëtuar, ndërkohë që ka ndarë edhe detaje nga ekspertiza që ka parë.

“Fatbardhësisht vajza ka shpëtuar. Edhe i gëzohem këtij fakti, të gjithëve mund të në ndodh. Ministrja ka qenë duke vozitur. Sipas ekspertizës që e pash, nëse do të voziste 5 km më ngadalë ndoshta nuk do të ndodhte. Në vendime të gjyqësorit nuk përzihem. Çështjet e gjyqësorit janë të ndara”, ka thënë Dugolli në emisionin Frontal të T7.

Deputeti Dugolli tutje ka thënë se nuk do të duhej të bëhej temë shuma e dënimit.

“Shuma nuk kish dasht me qenë si kriter. Ajo ka mund të jetë 2 mijë , 20 mijë. Nuk është që do të duhej ta ngrisnim si çështje”, ka thënë ai pos tjerash.

Ai ka shtuar se e shqetëson “modestia e tepërt” e ministres Rozeta Hajdari meqë ka zgjedhur të vozis vetë dhe të dalë me veturë private.

Ai ka thënë se modestia e tepërt të hakmerret dhe shton se ndoshta i vetmi mëkat e ministres në gjithë këtë, është që ka dalë me veturë private dhe jo me shofer dhe veturë zyrtare.

“Nga një herë modestia tepërt nganjëherë po na hakmerret. Kjo modestia e ministres për të shkuar vetë në punë po i hakmerret. Ajo do të duhej ta kishte shoferin e vetë dhe veturën zyrtare. Nganjëherë modestia të hakmerret. Ministrja Hajdari të vetmin mëkat që mund ta ketë në këtë drejtim që mund ta ketë, është që çka ka pas nevojë që të shkojë në punë dhe ta vozis veturën private”, ka thënë deputeti Dugolli.

Të ngjashme