Dëshmitari Sadri Jashari gjatë dhënies së dëshmisë në procesin gjyqësor ndaj Çedomir Aksiq, i cili akuzohet për krime lufte në Komunën e Shtimes, tha se Aksiq ishte iniciatori kryesor që gjatë periudhës së luftës i ishin djegur katër shtëpi. Tha se i akuzuari ishte komandat i policisë.
“Iniciatori numër një ka qenë Çeda (duke ju referuar të akuzuarit Çedomir) se e kena pas përballë edhe u kanë komandat i policisë”, deklaroi dëshmitari Jashari”.
I pyetur nga prokurorja speciale, Habibe Salihu se kush është personi Çeda, dëshmitari tha se është pikërisht i akuzuari Çedomir dhe se me atë emër e kanë thirrë si fqinj që e kishin.
Po ashtu, Jashari tha se vetëm shtëpitë e familjes së tij ishin djegur dhe se arsyeja e kësaj ishte se njëri vëlla i tij ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e për të cilën rrethanë ka qenë i njoftuar i akuzuari Aksiq.
Dëshmitari Jashari tha se me babanë dhe vëllanë e të akuzuarit kanë pasur raporte të mira fqinjësore, por jo edhe me të akuzuarin Aksiq, pasi që asnjëherë nuk u ka folur edhe pse ishin afër me shtëpi.
Për djegien e shtëpive, dëshmitari thotë se e kishte kuptuar nga fqinjët e tij dhe se vetë ata i kishin treguar se shtëpitë i ishin djegur me urdhër të të akuzuarit Aksiq.
Për të akuzuarin, Jashari tha se e ka parë personalisht të veshur me rroba të policisë.
Megjithatë, Jashari tha se nuk kanë pasur probleme para këtij rasti me të akuzuarin dhe se shtëpitë e tyre ishin djegur pasi që kishte ndodhur masakra e Reçakut.
Paraprakisht, prokurorja Salihu dha fjalën hyrëse, duke thënë se janë një numër i konsiderueshëm i dëshmitarëve dhe provave materiale që flasin për pjesëmarrjen e të akuzuarit Aksiq në krimet e kryera.
Ndërkaq, mbrojtësi i Aksiq, avokati Zharko Gajiq tha se do të kërkojë nga gjykata që të sigurohen dokumentacione nga institucionet, në mënyrë që të sqarohet personaliteti i të akuzuari Aksiq se a ka qenë ndonjëherë në kundërshtim me ligjin përmes veprimeve të tij.
Ndryshe, më 20 nëntor 2023 në Gjykatën Themelore në Prishtinë kishte ka mbajta e gjykimit në mungesë edhe ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, i cili po akuzohet për krime lufte. Gjykimi në mungesë parashihet me Kodin e Ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 maj 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Çedomir Aksiq, i cili akuzohet për krime lufte në Komunën e Shtimes, konkretisht në fshatrat Reçak, Mulapolc dhe Petrovë. Ai ngarkohet se prej periudhës janar-maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal të uniformuar, kanë shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integriteti trupor ose shëndetit dhe frikës ndaj popullatës civile.
Në aktakuzë, thuhet se në pikën e quajtur “Kodra e Gështenjave” vend midis fshatrave Reçak, Mulapolc dhe Petrovë, së bashku me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, kishin urdhëruar dëbimin e banorëve të lagjes, e më pas së bashku me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, ua kanë djegur shtëpitë të dëmtuarve, duke shkaktuar dëm moral dhe material deri në 300 mijë euro.
Në vendin e quajtur “Lugu i Neshës”, në Petrovë të Shtimes, Aksiq thuhet se tani të ndjerin Halil Hysenaj e kishe ekzekutuar me një pushkë 10-she, ku familja e të ndjerit paraprakisht ishin ndalur nga i akuzuari Aksiq, ku më pas të njëjtit kishin gjetur trupin e të ndjerit pa shenja jete. Kurse në fshatin Reçak, thuhet se Aksiq kishte marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës.
Fillimisht, thuhet se Aksiq në bashkëkryerje me forcat tjera serbe, kishin gjuajtur në drejtim të Hajriz Brahimit, derisa ky i fundi ishte duke ikur nga shtëpia e tij në drejtim të malit, dhe pas Hajriz Muratit, Aksiq thuhet të ketë shtënë pastaj edhe në drejtim të Hakin Muratit, Sabri Muratit dhe Arif Muratit. Tutje, në prezencë të gruas (së viktimës), thuhet se Aksiq kishte vrarë dhe personin me emrin Ahmet Mustafa dhe derisa po largohej nga shtëpia e tani të ndjerit Mustafa, me forcat serbe thuhet të kenë shtënë edhe në drejtim të Sadik Mujotës, Hanumshahe Mujotës, Skender Halitit dhe Mehmet Mustafës.
Dëshmitarë të rastit janë renditur: Ruzhdi Jashari, Sadri Jashari, Bashkim Rizau, Shukrije Hysenaj, Agim Hysenaj, Hajdin Hysenaj, Blerim Hysenaj, Hyzer Hysenaj, Njazi Mujota, Tefik Halili dhe Avdullah Krasniqi.
Me këto veprime, Aksiq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e ndëshkuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e dënueshme edhe sipas Konventës së Gjenevës si “Krim lufte” në shkelje të rëndë të nenit 3 të kësaj konvente dhe nenit 4. protokolit 2 të datës 8 qeshor 1977 dhe aktualisht e ndëshkueshme sipas nenit 146 dhe 147 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kujtojmë se procesi gjyqësor ndaj Aksiq zhvillohet në mungesë, pasi që Prokuroria dhe Gjykata kanë shtjerrë të gjitha mundësitë për sigurimin e prezencës së tij në gjykim. /BetimipërDrejtësi