Dështimi i 16-të i seancës, asnjë shenjë se do të konstituohet Kuvendi së shpejti

Prishtinë | 15 Maj 2025 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Dështoi edhe vazhdimi i sotëm i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Ishte përpjekja e 16-të me radhë për konstituim të këtij institucioni ligjvënës, raporton Ekonomia Online.

Vazhdimi i sotëm pa ndonjë ndryshim me vazhdimet e mëparshme: përsëri tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

Kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.Ishin 55 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim.

Dehari bëri të ditur se seanca ndërprehet dhe se do të vazhdojë më 17 maj, në orën 10:30.

Vetëvendosje nuk po heq dorë nga kandidimi i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke këmbëngulur se është gruaja më e votuar, ndërsa tri partitë e tjera më të mëdha PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë kundër kësaj kandidateje, duke e cilësuar si figurë përçarëse.

Peci: Po bëjmë përpjekje për zhbllokimin e situatës

Ministri në detyrë i Bujqësisë , Faton Peci, tha se Vetëvendosje po i përmbush detyrimet e saj, duke marrë pjesë në seanca dhe në procesin e votimit, raporton Ekonomia Online.

“Edhe sot, pas përpjekjes, nuk kemi rezultat në votim. Ne, në vazhdimësi, po bëjmë përpjekje për zhbllokimin e kësaj situate. Jemi duke kryer detyrimet tona, duke marrë pjesë në seanca dhe në procesin e votimit.

Është e rëndësishme të potencohet se ende nuk kemi ardhur te propozimi i emrit. Përpjekja jonë është që ta kemi një proces votimi të fshehtë, ashtu siç përcaktohet me Kushtetutë.

Vullneti i mirë dhe ndërgjegjja mund të kontribuojnë në procesin e zhbllokimit dhe në konstituimin e Kuvendit për mandatarin e qeverisë”, tha Peci.

Krasniqi: Sot 55 vota i ka marrë Kurti, jo komisioni

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se PDK-ja ka qëndrim të qartë: Vetëvendosje duhet ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Ai tha se votat e sotme nuk kanë qenë për komisionin ad – hoc për votim të fshehtë, por për Kurtin.

“Kjo është e pashembullt dhe nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Ne dëshirojmë të shkojmë përpara drejt një zgjidhjeje, që përfshin ndërrimin e kandidatit të Vetëvensdosjes, në mënyrë që ai të mund të marrë shumicën.

Sot, 55 vota i ka marrë Kurti, jo komisioni. Kaq vota ka Kurti, nuk merr vota nga ne”, tha Krasniqi.

Bajrami: Abdixhiku në takimin me presidenten jep detaje për qeveri gjithpërfshirëse

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se ideja për një qeveri gjithëpërfshirëse është zgjidhja më e mirë e mundshme, raporton Ekonomia Online.

“Nuk bëhet fjalë për ndarje të pozitave. Ne nuk kemi vendosur kushte dhe nuk kemi kërkuar dikastere. Albulena Haxhiu nuk i ka votat e nevojshme.

Nëse ata do të dëshironin me të vërtetë ta konstituonin Kuvendin e Kosovës, brenda 24 orësh seanca mund të thirrej çdo 10 minuta. Do ta kishin provuar edhe me 47 deputetët e tjerë dhe nëse vërtet askund nuk do ta kishin mbështetjen, atëherë do të mund të flisnim ndryshe.

Ata dëshirojnë fillimisht ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit. Ne kemi pasur ftesë ende pa u konstituuar që të hyjmë në marrëveshje politike me ta. Nuk e dimë se cilat janë idetë e tjera. Ne kemi një ftesë për një koalicion, por i kemi thënë jo një oferte të tillë. Ajo që kemi ofruar ka qenë një qeveri tranzicionale”, tha Bajrami.

Haradinaj: Gati për zgjidhje, po të kishim kandidat unifikues e kishim votuar

Kryetari i AAk-së, Ramush Haradinaj, komentoi takimin e sotëm që pritet të mbahet me presidenten Vjosa Osmani dhe partitë opozitare, raporton Ekonomia Online.

Ai e ka cilësuar pozitiv faktin që po nis komunikimi ndërmjet palëve.

“Është mirë që po ndodh një komunikim i parë do t’i japim idetë se si të dalim nga kjo gjende, edhe sot e kishim votuar nëse kishim pasur kandidat unifikues, pozicionin tim e dini, nuk ka ndryshuar asgjë”, tha Haradinaj.

Të ngjashme