Dështoi edhe vazhdimi i 35-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Sërish përpjekje e Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.
Kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.
51 deputetë votuan për, 1 kundër dhe asnjë abstenim. Dehari ndërpreu seancën dhe bëri të ditur se vazhdimi i saj të jetë më 23 qershor, në orën 11:00.
Basha: Deputetët e opozitës s’e justifikojnë praninë në Kuvend, ne kemi ardhur për të votuar
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka akuzuar deputetët e opozitës se nuk po e ushtrojnë mandatin që u është dhënë nga qytetarët, raporton Ekonomia Online.
“Ne kemi ardhur për të votuar. Deputetët e opozitës, asnjë prej tyre nuk di me tregu se pse kanë ardhur sot nëse nuk votojnë. Pse janë çu në mëngjes, janë veshur e ndrequr, e vijnë ulen në ulëse të Kuvendit e nuk votojnë as për, as kundër, e as nuk abstenojnë?”, deklaroi Basha para mediave.
Ai theksoi se qëndrimi pasiv i opozitës po e bllokon formimin e institucioneve, ndërkohë që deputetët e shumicës janë duke ushtruar përgjegjësinë e tyre duke marrë pjesë dhe duke votuar në seanca.
“Cili është funksioni i një deputeti i cili çohet në mëngjes, vjen e shkon në shtëpi pa lënë një shenjë hiq? Këta po thonë është përgjegjësi e VV-së – jemi përgjegjës të gjithë për konstituimin e Kuvendit. Të gjithë deputetët e VV-së po votojnë”, theksoi ai.
Çitaku: Për Kurtin pushteti është më i rëndësishëm se shteti, Kosova buzë kolapsit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas dështimit të 35-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin për bllokadën politike që, sipas saj, po e çon vendin drejt kolapsit, raporton Ekonomia Online.
“Për Albin Kurtin pushteti është më i rëndësishëm se shteti, egoja është më e madhe se Kosova. Ambicia është më e madhe dhe më e rëndësishme se demokracia”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka kërkuar reflektim nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ka paralajmëruar për pasojat e rënda që kjo situatë po ia shkakton vendit.
“Kjo situatë duhet të marrë fund dhe presim nga VV-ja që të reflektojë. Kosova është buzë kolapsit, çdo ditë kemi lajme për dëm të pariparueshëm që kjo situatë po i shkakton ekonomisë. Dje pamë lajme të frikshme për krizë buzë kolapsit në sektorin e energjisë. Mjaft është mjaft”, ka shtuar ajo.
Mustafa: VV-së i takon e drejta për të nominuar kryetarin e Kuvendit, por edhe përgjegjësia për të krijuar shumicën
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka thënë se, sipas Kushtetutës së Kosovës, e drejta për të propozuar kryetarin e Kuvendit i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhje – por me këtë të drejtë vjen edhe përgjegjësia për të siguruar shumicën parlamentare, raporton Ekonomia Online.
“Konform Kushtetutës së Kosovës, partia që del e para në zgjedhje i takon që të nominojë kryetarin e Kuvendit, por i takon edhe përgjegjësia që të krijojë shumicën, pra 61. Përgjegjësia bie kryekëput mbi partinë e parë. Është fatkeqësi që VV nuk arrin që të krijojë një shumicë”, ka deklaruar Mustafa.
Kadrijaj: VV po abuzon me pushtetin, qëllimisht po e pengon konstituimin e Kuvendit
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritje të qëllimshme konstituimin e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
“Nuk mund të pranojmë abuzimin që po e bën VV-ja në vazhdimësi, që për 35 herë me radhë të mos konstituohet Kuvendi. Po e shohim se qëllimshëm janë duke e bërë”, deklaroi Kadrijaj.
Ajo tha se konstituimi i Kuvendit do të mundësonte funksionalizimin e komisioneve parlamentare dhe mbikëqyrje më efektive të punës së qeverisë, veçanërisht në çështje jetike për vendin si kriza e energjisë dhe ajo ekonomike.
“Nëse konstituohet Kuvendi, vazhdojmë me komisione parlamentare dhe do të kishim pasur një mbikëqyrje më të mirë të qeverisjes, dhe të mos kemi abuzime të tilla, siç është duke ndodhur me këtë krizën e energjisë, krizën ekonomike – sepse do të kishim zhvilluar debate të qarta për krejt këto se çka po ndodhin”, shtoi ajo.
Limaj: Është e papranueshme që s’po arrihet të formohen institucionet, qytetarët të reflektojnë kujt po ia japin besimin
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar lidhur me dështimet e njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e institucioneve të reja, raporton Ekonomia Online.
Ai ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e vullnetit politik për ndërtimin e qeverisë dhe ka kërkuar reflektim nga qytetarët për besimin që i japin subjekteve politike.
Ai tha se shteti i Kosovës është duke u rrezikuar në aspektin e sigurisë.
“Jo, nuk pres asgjë më ndryshe sepse nuk ka pasur ndonjë lëvizje. Me ardhë momenti me ta dhënë populli besimin e mos me qenë në gjendje me u ul me grupet politike e me ndërtuar qeveri, parlament e institucione, në kohën kur bota është trazuar me gjitha problemet ekonomike e politike, me problemet e sigurisë – atë që e shihni ju – në krejt këtë situatë apeli im është te qytetarët: shikoni se kujt po ia jepni besimin”, ka deklaruar Limaj.