Dështon rezoluta e kundër shtrenjtimit të rrymës, vetëm 45 deputetë në sallë

Prishtinë | 24 Jan 2022 | 20:50 | Nga Ekonomia Online

Ka dështuar draft-rezoluta e PDK-së, që ishte propozuar kundër rritjes së çmimit të rrymës sipas propozimit të ZRRE-së.

Kjo rezolutë dështoi për shkak të mungesës së kuorumit, pasi që në kohën kur u hodh në votim prezent ishin vetëm 45 deputetë.

Por, kjo rezolutë pritet të hedhet në votim në seancën e së mërkurës.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca tha se të pranishëm në sallë ishin vetëm 45 deputetë dhe se seanca për votimin e këtij mocioni mbahet të mërkurën nga ora 14:00.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, paraqiti mocionin e tri partive opozitare.

Tahiri theksoi se përmes këtij mocioni, Kuvendi obligon qeverinë të refuzojë propozimin aktual të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe ofron alternativa të reja.

“Çdo propozim eventual për rritje të tarifave të shoqërohet me normë të reduktuar të TVSH-së në zero, të ndiqen modelet e shtete evropiane që kanë praktikuar një model të tillë, të ofrohet sa më parë alternativa afatgjate me energji të qëndrueshme dhe të përballueshme. Në këtë drejtim të ndërpriten vonesat e paarsyeshme dhe të dëmshme të qeverisë në lidhje me gazifikimin e Kosovës, një projekt që shtetet e rajonit e kanë nisur tashmë.

Qeveria duhet të përshpejtojë për dhënien e lejeve për nisjen masive të investimeve drejt sektorit të energjisë solare. Kuvendi i Kosovës obligon Qeverinë që në afat prej 15 ditësh të sjellë dhe të prezantojë në Kuvend një raport me shkrim për mos zbatimin të pikës pesë të vendimit të Kuvendit të datës 06.05.2021 për mos sigurimin në procesin e futjes në sistem të faturave sipas ligjit në fuqi te konsumatorët në komunat përkatëse në veri të Kosovës”, tha Tahiri.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike është paralajmëruar nga Qeveria për shkak se “Kosova po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘B’”.

Lidhur me këtë, ZRRE ka propozuar rritje të çmimeve për amvisëritë për 9 për qind, teksa Qeveria ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e një pjese të faturave të energjisë.

Sipas propozimit të ZRRE-së, konsumatorët janë ndarë në pesë kategori: A, B, C, D, E.

Konsumatorët në kategorinë A, nëse gjatë një muaji shpenzojnë 300 kilovatë orë energji elektrike, çmimi aktual është 18.87 euro, dhe propozimi është që ajo të rritet në 29.66 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë, fatura do të mbetet 27.37 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.

Konsumatorët në “C” që do të thotë se shpenzojnë 600 kilovatë, çmimi aktual i faturës është 35.86 euro, e që me propozimin e ZRRE-së, fatura rritet në 38.92 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë mbetet 35.86 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.

Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro.

Të ngjashme