Detaje nga aktakuza: Plani për grabitjen spektakolare të rreth 1 mln € të bankës nga automjeti i “Besa Security”

Prishtinë | 14 Mar 2024 | 19:55 | Nga Ekonomia Online

Grupi kriminal që po akuzohet për grabitjen spektakolare të rreth 1 milionë eurove nga automjeti i kompanisë së sigurimit “Besa Security” më 18 nëntor të vitit 2021 në fshatin Parallovë, shumë shpejt pritet të ulen në bankën e të akuzuarve. Ndaj gjashtë të dyshuarve, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë për disa vepra penale. Në mesin e tyre është edhe menaxheri i kompanisë, i cili ishte përfshirë në planin si në filma.

Siç merr vesh Sinjali, gjashtë personat që po akuzohen për këtë rast, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale ‘’Grabitja’’, ‘’Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’’, ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ dhe ‘’Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’’ janë:

Për çka akuzohen Gashi, Lipovica, Xhaka, Berisha, Sogojeva dhe Muqolli?

Në aktakuzën e ngritur ndaj tyre thuhet se më 18 nëntor 2021, në fshatin Parallovë, komuna e Novobërdës, gjashtë të akuzuarit në bashkëveprim, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, kanë grabitur shumën e parave prej 996,271.24€ dhe 46,780.00 dollar amerikan (USD) në dëm të Bankës Pro Credit dhe kompanisë “Besa Security”.

Në këtë rast, grupi i akuzuar kishte një ‘dorë’ brenda kompanisë, e që ishte Milaim Lipovica, menaxher i Logjistikës, i cili ‘sigurimin’ e vetëm që e ka bërë në këtë rast ka qenë ndihma për t’u grabitur paratë nga kompania në të cilën shërbente.

Pjesë nga aktakuza:

“Se me datë 18.11.2021, në intervalin kohor 16:00-17:00 minuta në rrugën Regjionale Gjilan-Prishtinë në fshatin Parallovë komuna e Novobërdës, të pandehurit si grup i organizuar kriminal, në bashkëveprim, me dashje dhe qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, kanë grabitur shumën e parave prej 996,271.24€ dhe 46,780.00 dollar amerikan (USD) në dëm të dëmtuarve Bankës Pro kredit me seli në Prishtinë dhe kompanisë “Besa Se” me seli në Prishtinë – me pronar A.H, në atë mënyrë që i pandehuri Dardan Gashi ka siguruar dhe vu në shërbim automjetin e tipit Volvo me targa të regjistrimit 01-981-FQ, targa që i përkasin një automjetit tjetër, i pandehuri Milaim Lipovica si menagjer në Kompaninë “Besa Sekurite” në Prishtinë, ka përgatit automjetin special për transportimin e parave të gatshme e tipit Fiat Dukato me targa të regjistrimit 01-249-PF, pronë e kompanisë “Besa Sekurite” ashtu që i njëjti më datë 06.11.2021 pa dijuni të pronarit të kompanisë, këtë automjet e dërgon te autoservisi “Ylli” pronari i të cilës është i pandehuri Kushtrim Xhaka, aty së bashku me Kushtrim Xhakën, ia vendosin pajisjen elektronike për ç’aktivizim të motorit nga distanca përmes teledirigjimit, pas kësaj të njëjtin e testojnë brenda lokalit, e pastaj edhe në rrugët e qytetit të Prishtinës, një testim e bëjnë edhe më datë 13.11.2021.

Ndërsa më datë 18.11.2021 të pandehurit me automjetin Volvo dhe një automjet tjetër të tipit Zafira me targa të regjistrimit 06-668.EC, të cilat kishin qenë të parkuara në garazhin e të pandehurit Kushtrim Xhaka, me dy automjete, të pandehurit Agroni, Viktori, Nexhati i cili gjendet në arrati edhe me një nga të pandehurit tjerë, përmes rrugës dytësore nga Prishtina shkojnë në fshatin Parallovë, dhe në një largësi rreth 200 metrave jashtë rrugës Regjionale Prishtinë-Gjilan, e lënë të fshehur automjetin Volvo, ndërsa me automjetin Zafira shkojnë në Gjilan dhe pasi e takojnë automjetin Fiat, i cili kishte grumbulluar parat nga automatet bankare të vendosura në qytetin e Ferizajt, Vitisë dhe Gjilanit, për të i dërguar në Bankën Qendrore Pro kredit në Prishtinë, të njëjtit me automjetin Zafira, nga Gjilani i vihen pas në përcjellje dhe me të arritur në fshatin Parallovë, automjetin Fiat e ndalin nga mbrapa me teledirigjim.

Motori i automjetit befasisht fiket edhe për kundër veprimeve të shoferit për të e aktivizuar motorin për ta vënë në lëvizje të njëjtin, por kjo ka qenë e pamundur, ndërsa në këtë rast pasi automjeti Fiat ndalet, të njëjtit me automjetin Zafira me targa të regjistrimit 06-668-EC, ngjyrë hiri e parakalojnë dhe i dalin përpara, e ndalin automjetin, nga automjeti fillimisht dalin tre të pandehurit Viktori, Agroni dhe Nexhati, të maskuar dhe të armatosur me armë të gjata, kallashnikov, fillimisht i pandehuri Viktori e pastaj edhe dy të pandehurit Agroni dhe Nexhati fillojnë të shtien në parafango, e pastaj edhe te xhami i shoferit të automjetit Fiat, dhe arrijnë që shoferin dhe tre punëtorët tjerë që gjendeshin në automjetin Fiat, të i nxjerrin nga automjeti, i çarmatosin dhe i shtrin për toke, ndërsa nga automjeti Zafira del edhe personi i katërt, iu bashkohet tre të pandehurve të tjerë, dhe njëri nga këta Nexhati, hyn në automjet Fiat- dhe duke i shfrytëzuar njohurit e marra nga i pandehuri Milaim, përmes pultit të vendosur në automjetin Fiat te tabela e instrumenteve, e hap kargon ku ishin të vendosura mjetet financiare dhe nga aty i nxjerr 10 çanta të mbushura me para, të njëjtat i vendosin në automjetin Zafira, dhe pastaj ikin nga vendi i ngjarjes dhe shkojnë te vendi ku e kishin lënë automjetin Volvo.

Aty fillimisht çantat me para të grabitura i nxjerrin nga automjeti Zafira dhe i vendosin në automjetin Volvo, ndërsa automjetit Zafira ia vejnë zjarrin dhe e djegin, ndërsa me automjetin Volvo vazhdojnë rrugën në drejtim të Prishtinës, ashtu që në fshatin Llabjan, e trupojnë rrugën Regjionale dhe pas disa kilometrave rrugë në drejtim të fshatit Sllovi, parat i nxjerrin nga çantat, ndërsa çantat i hedhin skaj rruge dhe pastaj vazhdojnë rrugën dhe kthehen në Prishtinë dhe pas kësaj, automjetin Volvo e dërgojnë dhe e lënë të braktisur në fshatin Halilaq afër aeroportit të Sllatinës, e cila pas 3-4 ditëve është identifikuar dhe sekuestruar nga policia e Kosovës, në këtë mënyrë të pandehurit me veprimet e tyre të përbashkëta si grup i organizuar kriminal të dëmtuarve Bankës Pro kredit me seli në Prishtinë dhe pronarit të kompanisë A.H i kanë shkaktuar dëm material në shumë prej 996,271.24€ dhe 46,780.00 dollar amerikan (USD)” – thuhet në aktakuzë.

Të akuzuarit Sogojeva, Berisha dhe Muqolli ngarkohen edhe me veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Ndërsa Berisha akuzohet edhe për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Kurse Sogojeva po akuzohet se në kundërshtim me ligjin për armët, në vazhdimësi është furnizuar dhe ka blerë armë në Beograd, Nish, Vrajë e Preshevë dhe i ka importuar në Kosovë, ku edhe i ka shitur.

Të ngjashme